E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Mjedisit: Pretendimi se më 15 gusht ka nisur sezoni i gjuetisë është i pavërtetë

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Sezoni i gjuetisë nuk ka nisur dhe ushtrimi i këtij aktiviteti vijon të jetë i ndaluar, sqaron Ministria e Mjedisit, duke hedhur poshtë pretendimet e publikuara së fundmi për hapjen e sezonit më 15 gusht.

Ministria e Mjedisit bën të ditur se, në zbatim të Ligjit nr. 89/2025 “Për gjuetinë”, gjuetia nuk lejohet deri në miratimin e zonave të gjuetisë me vendim të Këshillit të Ministrave.

Sipas ministrisë, kuadri i ri ligjor përcakton kushtet në të cilat mund të zhvillohet aktiviteti i gjuetisë, ndërsa hapja e sezonit lidhet me miratimin e zonave përkatëse.

Ministria e Mjedisit paralajmëron se çdo rast i ushtrimit të paligjshëm të gjuetisë do të jetë objekt kontrolli dhe do të ndëshkohet me penalitetet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Institucioni u bën thirrje qytetarëve që për informacion mbi sezonin e gjuetisë dhe rregullat e zbatueshme t’u referohen akteve ligjore dhe njoftimeve zyrtare.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›