Gjenden në Mal të Zi tre fëmijët që u raportuan të zhdukur. Policia: Ikën me dëshirë
Gjenden në Mal të Zi tre fëmijët e zhdukur një ditë më parë në Fushë- Milot. Policia e Lezhës konfirmoi se fëmijët ishin nisur me dëshirë për në Mal të Zi, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e familjarëve se ata mund të ishin rrëmbyer.
Klodian Shabani, 11 vjeç, Ramazan Murati, 12 vjeç dhe Ervin Hidri, 11 vjeç, që të tre nxënës të klasës së gjashtë të shkollës 9-vjeçare në Fushë-Milot, janë larguar mëngjesin e djeshëm nga banesat e tyre, të cilat janë ngjitur, dhe nuk janë kthyer më.
Mbrëmjen e djeshme familjarët kanë denoncuar në Policinë e Kurbinit për zhdukjen e 3 të miturve, e cila ngriti patrulla të shumta dhe kreu kërkime në të gjithë zonën.
Pas njoftimit të autoriteteve malazeze, policia zbuloi se fëmijët kishin kaluar kufirin dhe ndodheshin në shtetin fqinj./A.XH