Gjenden pjesët e “Librit të të Vdekurve”

Historiani dhe egjiptologu i British Museum, Taylor pohon se një zbulim i tillë ndodh vetëm njëherë në jetë.
Në fakt, gjatë një ekspozite në një muze australian, Taylor rastësisht zbuloi disa fragmente të “Librit të të Vdekurve” të faraonit Amenhotep.
Ai iu shpjegoi gazetarëve se në ekspozitën e mumieve në Muzeun e qytetit australian Queensland kishte hasur në disa copa të papirusit me hieroglifë që janë karakteristik për faraonin Amenhotep.
Amenohtep ishte arkitekti kryesor i Egjiptit të lashtë, dhe konsiderohet njeriu më meritor për konstruktimin e Tempullit të Madh në Karnak - afër qytetit të sotëm Luksor – që është ndër vendndodhjet më të vizituara arkeologjike në Egjipt. I intriguar me zbulimin e tij, Dr. Taylor shtroi pyetjen nëse në arkivin historik kishte ende fragmente të tilla, kështu që së shpejti iu lejua qasja në laboratorin e Departamentit të Konservatoriumit.
"Shumë shpejt kuptuam se vërtet ekzistonin shumë fragmente të ‘Librit të të Vdekurve’, të këtij njeriu tejet të rëndësishëm”, tha Taylor për mediat australiane.
"Nuk bëhet këtu fjalë për papirusin e kujtdo qoftë, por për papirusin e personaliteteve më të rëndësishme të Egjiptit, derisa vendi ishte në kulmin e prosperitetit të tij”, sqaroi Taylor, duke shtuar se ky është një zbulim që një shkencëtari i ndodhë vetëm një herë në jetë.
Ndryshe, në vitin 1913 muzeut fragmentet ia dhuroi një donator që deshi të mbetej anonim. Në to publiku zakonisht nuk ka qasje, mirëpo kësaj radhe ato u ekspozuan me qëllim që të kompletohej ekspozita mysafire e mumieve e British Museum, hapjen e së cilës Taylor, si kustos kryesor i Koleksionit Egjiptian të British Museum, kishte ardhur ta bënte solemnisht.
Taylor sqaroi se, pjesë të tekstit të Amenhotep janë të shpërndara nëpër shumë institucione, siç janë Muzeu i Arteve të Bukura të Bostonit, British Museum dhe Muzeu Metropolitan në New York.
Ekzemplarët e gjetur në Australi do të fotografohen, me qëllim që të zbulohet se në cilën pjesë të tekstit bëjnë pjesë, ndërkohë që vetë Taylor beson se i gjithë teksti mund të jetë i gjatë deri në 20 metra. Sipas sqarimit të tij, gjatë viteve të 90’a të shekullit të 19 njerëzit në Egjipt nxirrnin dhe grumbullonin antikitete të llojllojshme, edhe pse shumë shpesh ndodhte që të mos shënohej fare se ku përfunduan gjithë ato antikitete.
"Njerëzit shkonin për pushime në Egjipt, dhe atje blinin gjësende të tilla, të cilat pastaj i merrnin me vete. Së këndejmi, sigurisht që diku ende ekziston një material i shumtë dhe tejet i vlefshëm”, përfundoi egjiptologu britanik.