Gjenden të vdekura në banesë nënë e bijë. Vetëhelmim, ose helmim aksidental
TIRANË- Nënë e bijë janë gjetur sot pa jetë në banesën e tyre, në rrethana që mbeten ende të paqarta. Lajmi konfirmohet nga burimet të policisë, e cila bën me dije se trupat e pajetë janë gjetur nga fqinjët.
Sipas tyre, kanë qenë fqinjët që kanë hyrë në shtëpi dhe kanë konstatuar dy gratë pa shenja jete.
Nga të dhënat e para viktimat janë Xhile Sila dhe Burbuqe Pepa, por ende nuk dihet se në çfarë rrethanash ato kanë humbur jetën.
Nuk përjashtohet pista e një vetëhelmimi të mundshëm të dy femrave, por as ajo e një helmimi nga ushqimi.
Gjithsesi për këtë do të duhet të priten analizat, ndërkohë që në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili ka nisur hetimet.