Homazhe për mjekun, u ekzekutua dje brenda spitalit të Durrësit
DURRËS- Mjeku radiolog, Fatmir Thaçi, vrarë një ditë më parë brenda dhomës së spitalit është përcjellë sot me homazhe nga dhjetëra mjekë dhe infermierë, miq e të afërm, e bashkë me ta edhe qindra qytetarë të Durrësit.
Homazhet pranë trupit të pajetë të mjekut Thaçi u organizuan në një nga mjediset e spitalit rajonal të Durrësit. Kolegë të mjekut të ndjerë, punonjës të sistemit të shëndetësisë, autoritete të pushtetit vendor si dhe deputetë të Durrësit, bënë homazhe dhe ngushëlluan familjarët e tij për humbjen e rëndë.
2 tetor
Durrës, ekzekuton mjekun brenda në spital. Dorëzohet autori
DURRËS - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në spitalin e Durrësit. Mjeku radiolog, Fatmir Thaçi është vrarë në ambientet e punës. Shtetasi Ali Lorja e ka qëlluar me tre plumba pistolete në kokë dhe më pas i është dorëzuar policisë. Dyshohet se xhelozia është bërë shkak për këtë vrasje. Dy muaj më parë bashkëshortja e autorit, Liljana Lorja që punonte si infermiere në këtë spital është vetëhelmuar. Dyshohet se bashkëshorti e ka shtyrë drejt aktit të flijimit, pasi dyshonte se ajo e tradhtonte me mjekun Fatmir Thaçi.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30 të ditës së sotme. Atentatori ka hyrë në laboratorin e Radiologjisë, ku ka gjetur vetëm mjekun të cilin e ekzekutoi me plumba në kokë.
Krismat kanë shokuar personelin dhe pacientët, që tentuar ti japin ndihmë të plagosurit. Ndërkohë autori i ngjarjes ka hedhur armën në vendin ku kreu krimin dhe priti në oborrin e spitalin forcat e policisë duke mos bërë asnjë lloj rezistence.
Drejtoria e Policisë së Durrësit doli me një komunikatë për shtyp një orë pas ngjarjes. "Është vrarë me armë zjarri tip pistoletë shtetasi Fatmir Thaçi, 52 vjeç banues në qytetin e Durrësit, me profesion mjek radiolog", thuhet në komunikatë, ndërsa më tej sqarohet se "menjëherë pas njoftimit të marrë shërbimet e policisë bënë të mund arrestimin e autorit të ngjarjes, shtetasin Ali Lorja 46 vjeç dhe sipas të dhënave paraprake ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta".
Mjekët e spitalit mohojnë të ketë pasur një lidhje mes mjekut të vrarë dhe infermieres së helmuar. Por nga ana tjetër ata pranojnë se bashkëshorti i Liljanës, disa herë kishte shkuar në spital duke u grindur me të shoqen. Ndërsa burimet konfidenciale thonë se Aliu, ishte mjaft xheloz për të dhe kishte dyshime të forta se e tradhtonte me mjekun në fjalë. Madje dyshohet se ai e ka shtyrë gruan e tij drejt vetëflijimit. Sot, 2 muaj nga vdekja e saj, ai ka shkuar në spital dhe ka vrarë personin me të cilin dyshonte se e tradhtonte gruaja. Gjithçka pritet të sqarohet pas marrjes në pyetje të autorit të ngjarjes i cili është tashmë i arrestuar.
Forca të shumta policie kanë rrethuar spitalin e Durrësit. Vrasja e mjekut ka terrorizuar personelin, por të frikësuar janë edhe pacientët që tentojnë të dalin nga spitali. Ekspertiza po mbledh provat në vendin e ngjarjes, duke paralizuar kështu gjithë punën në spitalin rajonal. Ndërkohe janë lajmëruar edhe familjarët e mjekut që mbeti viktimë e një agresori që e qëlloi për motive ende të dyshimta.
Lajmi i datës 8 korrik 2009: Vetëhelmohet infermierja e spitalit të Durrësit
Dje në mesidtë është dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit shtetasja Liljana L. lindur dhe banuese në Durrës, pasi kishte konsumuar lëndë helmuese. Nëna e dy fëmijëve ka marrë ndihmën e parë nga kolegët e saj më pas është dërguar në spitalin ushtarak në gjendje shumë të rëndë ku edhe ka humbur jetën sot në orët e para të mëngjesit. Liljana punonte si infermiere në spitalin e qytetit të Durresit. Nga deklarimet e dhena paraprakisht mendohet se ajo ka konsumuar një sasi helmi qe perdoret per ngordhjen e mijve, ndërsa nuk thuhen arsyet e kësaj vetëvrasjeje.