E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet e vdekur Eleonora, zbulohen videot e konfliktit

Dashamir Biçaku / Elona Demollari

TIRANE- E vetëquajtura Shenjtorja Eleonorë (Eleonora Bregu), 58 vjeçe, u gjend e vrarë pasditen e djeshme në shtëpinë e saj, e cila ndodhet brenda Vakëfit të Shenjtë të Lidhjes Hyjnore. Në orën 18 e 50 minuta familjarët njoftuan policinë se kishin gjetur trupin e saj të mbuluar nga gjaku në një prej dhomave në katin e dytë të vilës trekatëshe. Dyshimet e para të policisë flasin për një vetëvrasje të gruas 58 vjeçare pasi pranë trupit është gjendur arma dhe një letër lamtumire. Letra mendohet se është shkruar nga vetë Eleonora Bregu dhe nis me një shprehje disi të çuditshme: Hi dear God që në shqip përkthehet Çkemi, i dashur Zot. Më pas letra vazhdon në shqip me tekstin: Më mirë e vdekur se sa të dorëzoj tokën e shenjtë….

Ekspertët dhe hetuesit e policisë mësohet se kanë gjetur në vendin e ngjarjes edhe disa letra të tjera nëpërmjet të cilave pretendohet se Eleonora Bregu ti jetë drejtuar Zotit duke kërkuar ndihmë në lidhje problemet e saj. Po ashtu, hetuesit thonë se gjetën edhe një letër në të cilën ajo i drejtohej së ëmës. Pak momente pas marrjes së informacionit mbi ngjarjen e mësipërme, në drejtim të vendit të ngjarjes, u nisën disa shërbime të Policisë së Komisariatit nr.1, që mbërritën në rezidencën apo vakëfin e të ashtuquajturës Shenjtorja Eleonorë. Efektivëve të policisë iu është dashur të shqyejnë derën e dhomës së fjetjes së Eleonorës pasi ajo e kishte kyçur veten brenda.

Vetë familjarët janë shprehur se nuk mund ta besonin atë që kishte ndodhur. Sipas tyre, ajo nuk kishte shfaqur në asnjë moment shenja dobësie që mund ta çonin atë drejt vetëvrasjes. Hetuesit e policisë gjetën trupin e gruas të shtrirë në shtratin e saj të rrumbullakët. Shtrati ishte i mbuluar nga të gjitha anët nga perde të gjata. Ajo ishte e shtrirë aty e mbuluar në pellgun e gjakut. Pranë dorës kishte një pistoletë TT. Nuk kishte asnjë shenjë jete,- thanë dje hetuesit që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Sipas tyre, po mbi shtrat, pranë trupit, është gjetur edhe gëzhoja e armës.

Shtrati ishte i vendosur, me kokë nga veriu. Në të djathë të kokës, pranë tëmthave, aty ku ne e quajmë lobi i djathtë, gruaja kishte një plagë hyrëse dhe që i vazhdonte për tej kokës në të djathtë. Plumbi që i kishte përshkuar kokën. Ai është gjetur në murin e dhomës që ndodhet në krahun lindor të saj. E dalluam lehtë pasi kishte lënë shenjë dhe aty kishte rënë suvaja. Por predha nuk kishte mundur që të shponte murin dhe kishte rënë në dysheme pranë shtratit të gruas,- thanë dje hetuesit në vendin e ngjarjes.

Problemet, konfliktet dhe përplasjet që ajo kishte pasur me pronarët që pretendonin një pjesë të truallit ku ishte vendosur objekti që prej saj dhe besimtarëve të saj, quhej vakëf, bënë që drejtuesit e policisë të kryenin veprime të kujdesshme hetimore dhe procedurale, si të këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe marrjes së deklarimeve të dëshmitarëve të mundshëm. Sipas tyre, për momentin ngjarja është shënuar si vetëvrasje dhe sot do të jepet një version më i plotë i ngjarjes.

Kush është Eleonora Bregu

Në fillim të viteve 1990 Eleonora Bregu e ka quajtur veten e saj si një shenjtore bamirëse. Ajo kishte punuar në ish- Kombinatin Tekstil në Tiranë dhe pretendonte se kishte nisur misionin e saj bamirës që në vitin 1989, pavarësisht se në këtë kohë besimi fetar në Shqipëri ishte i ndaluar me ligj. Në vitin 1993 ajo kishte marrë një sipërfaqe toke rreth shtatë mijë metra katrorë, me pretendimin se ajo sipërfaqe toke i ishte dhënë nga shteti, por pa pasur asnjë dokument shoqërues. Që nga ajo kohë, Eleonora ishte në konflikt me pronarët e tokës. Familjet Bogdani dhe Vorpsi janë përplasur disa herë me të dhe policia ka tentuar të ndërhyjë në vakëf, por nuk është lejuar nga ndjekësit e Eleonorës. Përplasjet mes tyre kanë qenë aq të shpeshta sa kanë shkuar edhe në dhunë fizike mes mbështetësve të Eleonorës dhe pronarëve të truallit.

Denoncimet për mashtrim

Besimtarë dhe përfaqësues të misionit shpirtëror të të vetëshpallurës Shën Eleonora, të zhgënjyer nga kjo e fundit, herë pas herë kanë denoncuar në media abuzimet, sipas tyre, të kryera nga Eleonora Bregu. Ata në mënyrë kanë akuzuar Eleonorën për abuzime me donacionet e tyre, apo me faktin se ishte apo jo e aftë të parashikonte apo të zbulonte të fshehtat e njerëzve. Eleonora pretendonte se mund të shëronte njerëz të sëmurë me tumore, gra që kishin probleme me lindjen, por kjo aftësi e saj nuk është njohur asnjë herë zyrtarisht.

Videot e misionit Eleonora: Gurë, grushte dhe ngacmime seksuale për pronën

Një seri videosh të hedhura në Youtube nga vetë anëtarët e misionit Eleonora, dëshmojnë një histori të gjatë konfliktesh fizike për pronën ku është ngritur ky mission. Në videot që mbajnë tituj të ndryshëm, shihen qartë pamje konfliktuale mes zonjës Eleonora Bregu familjarëve të saj dhe personave të ndryshëm, disa herë civilë, e disa herë me uniforma të policisë.

Videot janë filmuar nga një djalë, (i dëgjohet vazhdimisht zëri) që me gjasa është nënkryetari i misionit, djali i Eleonorës. Në të paktën dy prej videove edhe ai vetë sulmohet sepse pamjet rrokullisen dhe dëgjohet zëri i tij që thërret mos më prek me dorë ose hiqi duart etj.

Në video dhe në deklaratat e shumta në sajtin online të misionit, emrat që përmenden më shpesh janë kreu i komunës Farkë, Fatbardh Plaku i cili etiketohet në këto materiale si kryemafiozi i tokave Fatbardh Plaku, firma e ndërtimit “Ed Construction” e cila në këto materiale akuzohet shpesh se ushtron dhune fizike dhe psikologjike ndaj Zonjes se Shpirtit Eleonore Bregu, familjes se saj dhe antareve e besimtareve.

Disa video të tjera janë me anëtarë të familjes Vorpsi, e cila mesa duket është familja në konflikt pronësie me Eleonorën dhe misionin e saj. Në një video që titullohet Vorpsit ushtrojnë dhunë fizike, shikohen disa individë mbi një skarpatë dheu në lartësi, që hedhin gurë mbi disa të tjerë që gjenden poshtë.

Në një video tjetër shfaqet një punonjës i Përmbarimit dhe një polic i rendit që shfletojnë dokumenta pa fund dhe më pas thonë fjalë që misioni në tekstin e videos i intepreton si kërcënime.

Në një video tjetër shfaqet vetë Eleonora duke protestuar në komisariatin numër 1, para një makine policie. Ajo godet me grushta kofanon e makinës duke thënë Dua drejtësi, policia është e korruptuar, dhe më pas një polic vjen e ndez makinën dhe e largon. Më pas një video e dytë e shkurtër, e xhiruar me sa duket fshehtas, jep një rrëmujë brenda komisariatit 1, njerëz dhe policë që vrapojnë dhe një zë që thotë: Mos e prek zonjën, mos e prek zonjën. Videoja titullohet: Zonja e Shpirtit Eleonorë dhunohet brenda Komisaratit numër 1.

Një video tjetër tregon disa persona, njëri prej të cilëve me kostum, që tentojnë të hapin një portë hekuri brenda së cilës duken Eleonora dhe një tufë grash e vajzash. Personat kanë një kazëm në duar dhe shtyjnë vazhdimisht portën e hekurit. Eleonora nga brenda dhe vajzat shoqëruese përpiqen ti ndalojnë. Më pas të dyja palët nisin të shkëmbejnë e të hedhin gurë njëri me tjetrin.

Në një video tjetër që titullohet Ushtrohen ngacmime seksuale mbi anëtarëte  misionit.. konflikti është zhvendosur brenda oborrit të misionit. Shihen njerëz që kacafyten. Një zë gruaje klith vazhdimisht Hiqi duart nga gjoksi, hiqi duart nga gjoksi, mos më prek... Kameramani që xhiron skenën i thotë agresorit që shfaqet në video: Eja më qëllo mua, eja më qëllo mua Ardian. Më pas edhe ai vetë me sa duket goditet sepse kamera humbet fokusin dhe pamjet rrotullohet dhe mjegullohen. Këtu ridëgjohet djali që thërret Oh, mos më prek, hiqi duar

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›