E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaportat biometrike, aplikimi rikthehet në polici

Ministria e Brendshme ka ndryshuar dy herë brenda një jave rregullat për pajisjen e personave me pasaporta biometrike. Përmes një urdhri që mban datën tre nëntor dhe firmën e ministrit Bujar Nishani, janë ndërruar të gjitha procedurat e pajisjes me pasaportë duke hequr të drejtën e aplikimit larg vendbanimit dhe duke shtuar pajisjen me fotografi, një intervistë, plotësimin e një formulari dhe shumë detaje të tjera. Por tetë ditë më pas, më datë 11 nëntor, sërish me firmën e ministrit Bujar Nishani, ka dalë një udhëzim i dytë, i cili shfuqizon të parin. Udhëzimi i ri i ka hequr firmës private të drejtën e lëshimit të pasaportave biometrike dhe ia ka kthyer këtë të drejtë policisë. Procedura e re për një pasaportë biometrike parashikon aplikimin njëkohësisht në polici dhe në njësinë bashkiake.

Urdhri i parë

Formati i vjetër i bënte të mundur lëshimin e një pasaporte biometrike vetëm përmes paraqitjes së një karte identiteti. Kjo ka bërë që qindra shtetas kosovarë të pajisen me pasaporta biometrike shqiptare përmes një skeme ku përfshihej blerja e identitetit të shtetasve shqiptarë që nuk kishin ndër mend të dilnin jashtë vendit. Nga ana tjetër ka lejuar pajisjen e një numri të madh personash në kërkim policor me pasaporta që kanë fotografinë e tyre dhe gjeneralitete të rreme.

Më datë tre nëntor ministri Nishani ka lëshuar një udhëzim që ndryshonte krejtësisht mënyrën e aplikimit. Sipas këtij udhëzimi, personat e interesuar mund të aplikojnë vetëm aty ku janë të regjistruar dhe duhet të kenë me vete edhe një fotografi 4×5 cm, e cila vendoset në formularin e aplikimit. Një gjë e re në udhëzim ishte edhe intervista që bëhej me aplikuesin. Nëse punonjësja nuk bindej për vërtetësinë e deklarimeve të aplikuesit, ajo nuk i jepte pasaportën. Më pas punonjësi i gjendjes civile duhet të verifikonte të dhënat në regjistër dhe materiali i kalonte policisë

Komisariatet e policisë nëpërmjet ndihmës të specialistëve të hetimit dhe parandalimit të krimit, bëjnë verifikimin e shtetasit sipas të dhënave të formularit të vetëdeklarimit, autentitetin e fotografisë së vendosur në formular dhe nëse i gjen të rregullta, bën ciklimin,- thuhej në udhëzim.

Urdhri i dytë

Por tetë ditë më pas, sërish me urdhër të ministrit Nishani, kjo procedurë u shfuqizua. Urdhri që mban datën 11 nëntor riktheu procedurën e vjetër vetëm me disa ndryshime. Shtetasit shqiptarë, që aplikojnë për pasaportë biometrike për çdo herë, duhet të pajisen me formular identifikimi me fotografi nga komisariati i policisë ku kanë vendbanimin, i cili plotësohet në dy kopje. Formulari i identifikimit miratohet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kopje e formularit të plotësuar dhe të verifikuar nga policia i paraqitet punonjësit të gjendjes civile pranë zyrës së aplikimit,- thuhet në urdhrin e Nishanit.

Sipas tij, aplikimi tashmë do të bëhet në polici dhe në gjendje civile dhe uniformat blu do të verifikojnë të gjitha të dhënat e tyre. Ministria nuk ka dhënë asnjë shpjegim tjetër në lidhje me dy urdhrat që janë lëshuar nga Nishani. I pari ka qëndruar në fuqi vetëm tetë ditë dhe me pas është shfuqizuar pa ndonjë shpjegim konkret.

Udhëzimi për të ndaluar falsifikimin

Ministri Nishani i ka argumentuar dy urdhrat e tij duke thënë se janë bërë për të parandaluar falsifikimin e dokumenteve dhe shpërdorimin e detyrës nga ana e punonjësve të gjendjes civile. Me qëllim unifikimin dhe standardizimin e procedurave që ndiqen nga zyrat e gjendjes civile, kompania ALEAT, strukturat e Policisë së Shtetit, për pajisjen e shtetasve me pasaportë biometrike, në funksion të parandalimit të veprimtarisë kriminale që lidhet me falsifikimin, shpërdorimin e detyrës etj., dhe të vënies para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës,- thuhet në urdhrat e Nishanit.

Reagimi i ministrisë

Ministria e Brendshme ka nxjerrë një udhëzim të ri mbi Mbi procedurat e pajisjes me pasaportë biometrike të shtetasve shqiptarë. Udhëzimi parashikon një procedurë të re të pajisjes me pasaportë biometrike. Sipas kësaj procedure, shtetasit shqiptarë, që aplikojnë për pasaportë biometrike për çdo herë, duhet të pajisen me formular identifikimi me fotografi nga komisariati i policisë ku kanë vendbanimin, i cili plotësohet në dy kopje. Formulari i identifikimit miratohet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Kopje e formularit të plotësuar dhe të verifikuar nga policia i paraqitet punonjësit të gjendjes civile pranë zyrës së aplikimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›