E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjendet i pajetë 23-vjeçari në Shkopet, u denoncua i zhdukur nga babai

Një 23-vjeçar u gjet të mërkurën i pajetë pranë liqenit të Shkopetit.

Ishte babai i tij që kishte bërë kallëzim në Polici mbrëmjen e së martës, se i biri Renis Dobra nuk ishte kthyer në banesë.

Uniformat blu të Matit raportojnë se pas disa orësh kërkime, trupi i tij i pajetë u gjet pranë liqenit të Shkopetit.

Rrethanat e ngjarjes ende nuk janë të qarta, por ka dyshime të forta se automjeti, me të cilin lëvizte i riu, ka rënë në liqen.

Të dhënat e para saktësojnë se në trupin e pajetë të të riut, konkretisht në pjesën e qafës, janë konstatuar mavijosje. Po sipas të dhënave paraprake, bëhet me dije se 23-vjeçari nuk ka plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Për të zbardhur ngjarjen, Policia dhe Prokuroria kanë ngritur edhe një grup të posaçëm hetimor. Renis Dobra nuk ka precedentë të rëndë kriminalë, ndërsa njihej vetëm për disa raste vjedhjesh.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›