E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zjarret- Përkeqësohet situata në Lurë, flakët rrezikojnë një pjesë të madhe të Parkut

Është përkeqësuar situata në Parkun Kombëtar të Lurës, ku zjarri duket se ka marrë përmasa të mëdha. Vatra e zjarrit u raportua fillimisht në vendin e  quajtur “Liqeni i Luleve”, po tashmë, për shkak të erës së fortë, zjarri është përhapur, duke rrezikuar një pjesë të madhe të parkut.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për zona të banuara. Në terren janë angazhuar 5 forca të AdZM, 6 zjarrfikës të MZSH Dibër, 5 forca bashkiake, 15 vullnetarë si dhe helikopteri Cougar.

Ndërkohë, 3 vatra të tjera zjarri janë ende aktive në vend.

Në Orikum, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre e ferra në lartësi të malit, në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat. Sipas Ministrisë, situata është mbajtur në monitorim gjatë natës. Aktualisht po operojnë në terren 7 forca zjarrfikëse, 4 punonjës të Shërbimit Pyjor, 7 forca bashkiake, 40 forca ushtarake dhe helikopteri Cougar.

Në Poliçan, në fshatin Zgërbonjë, flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë. Fatmirësisht rreziku për banesat u eliminua, ndërsa sot në terren ndodhen 7 efektivë me 2 automjete zjarrfikëse të MZSH Poliçan dhe 5 forca të Shërbimit Pyjor.

Në Bulqizë, zjarri i rënë në “Livadhi e Peladhisë” është vënë nën kontroll.  Në operacion për shuarjen e plotë të tij janë përfshirë 2 automjete zjarrfikëse me 11 efektivë të MZSH Bulqizë, 7 forca të Shërbimit Pyjor dhe 3 vullnetarë.

Në total, nga zjarret e rëna, kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, janë djegur rreth 24 hektarë bimësi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›