E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i pajetë poeti Ali Podrimja, i zhdukur prej ditësh në Francë

Francë- Ali Podrimja, poeti i njohur kosovar është gjetur sot i pajetë, dy ditë pasi u shpall i zhdukur në Lode të Francës. Lajmi është konfirmuar nga ministra e Punëve të Jashtme të Kosovës e cila është njoftuar nga autoritetet franceze.

Poeti Podrimja kishte shkuar në festivalin e poezisë Vox de la Mediterranii në qytetin Lodeve në Francë, por nuk është kthyer më në shtëpi.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, i shprehu përmes një deklarate ngushëllimet më të sinqerta familjes së poetit Podrimja, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës.

Humbja e poetit me renome ndërkombëtare Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës- thuhet në mesazhin e ngushëllimit të ministrit.

Hera e fundit kur poeti ka kontaktuar me Ambasadën e Kosovës në Paris, ka qënë data 18 korrik, dhe që pas kësaj date nuk dihej më gjë për fatin e tij. Ndërkaq dje u raportua se poeti Ali Podrimja vuante nga sëmundja e kujtesës dhe kjo mund të kishte qënë arsyeja që ai nuk kontaktoi më me të njohurit dhe familjen. Por autoritet franceze bënë me dije se po punojnë intesivisht për zbardhjen e shkaqeve që i morën jetën poetit të shquar.

Kush ishte Ali Podrima?

Ali Podrimja u lind më 1942 në Gjakovë. Poeti Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.

Ai studioi Gjuhë dhe Letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës ku dhe jetonte. Ndër veprat e Podrimes janë ‘Hija e tokës”, të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare. Në vitet ’80 e ’90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si ‘Zari’, ‘Buzëqeshje në kafaz’ etj, deri të dy librat në prozë: ‘Burgu i hapur’ (1998) dhe ‘Harakiri’ (1999).

Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, ‘Lum Lumi’.

Poezia e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›