Reshjet dhe ngrica, ja rrugët e bllokuara e me probleme
Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dendura te dëborës vijojnë të shkaktojnë probleme në akset nacionale. Dhjetëra automjete kanë ndeshur vështirësi në qarkullim në pothuajse të gjitha akset kryesore si pasojë e ngricës që ka pushtuar sidomos zonat malore. Sipas informacioneve mësohet se për shkak të dëborës dhe ngricës janë bllokuar akset Peshkopi- Librazhd, komuna Sllovë që lidhet me Kalanë e Dodës dhe Kukësin, ndërsa disa fshatra janë izoluar në Lurë, në Trebisht, Martanesh etj., në qarkun e Dibrës. Ndërkohë në qarkun e Shkodrës, në rrethin Malësi e Madhe aksi Tamarë-Vermosh është i bllokuar, në Qafën e Bardolecit trashësia e dëborës ka shkuar në rreth 1 metër. Po ashtu, në Dukagjin janë bllokuar Kir-Prekal dhe Bogë-Theth, në Qafën e Borës trashësia ka shkuar në rreth 70 cm. Në Pukë paraqiten probleme në rrugët lidhëse në komunat Iballë dhe Qelez. Vështirësi qarkullimi është evidentuar edhe në Qafën e Malit, ndërsa akset e tjera janë të kalueshme, por vetëm me vendosjen e zinxhirëve. Po ashtu, e njëjta situatë paraqitet edhe në jug të vendit. Në Korçë vazhdojnë të jenë të bllokuar nga bora zona e Dardhës, Vithkuqi, Lekasi,. Moglica, Mokra, pasi kanë terren të thyer malor, ndërsa akset nacionale të kalueshme me zinxhirë janë: Kore-Kapshticë, Korçë- Kolonjë, Korçë-Pogradec. Nga reshjet e dëborës lëvizja në komunat e Zagorisë, Pogonit dhe Frashërit në qarkun e Gjirokastrës kryhet vetëm me anë të zinxhirëve, si dhe aksi rrugor Gjirokastër- Muzinë tashmë funksionon normalisht. Edhe në qarkun e Vlorës ka vështirësi në qarkullim, por akset nuk janë bllokuar. Aktualisht edhe nga Drejtoria e Qarkullimit Rrugor janë shtuar efektivët në të gjitha akset rrugore për të stabilizuar qarkullimin e automjeteve, si dhe për të parandaluar ndonjë aksident të mundshëm, kjo edhe si pasojë e ngricave.