Gjendet trupi i pajetë i 30-vjeçarit Jurgen Karaj në liqenin e Urakës pas një muaji kërkimesh

TIRANË, 7 shkurt /ATSH/ Pas pothuajse një muaji kërkimesh intensive në të gjithë basenin e lumit Mat, ditën e sotme është konstatuar në sipërfaqe një trup i pajetë në liqenin e Urakës, rreth dy milje larg urës së Rrethabazit.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se, pas sinjalizimit nga ekipet e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e Policisë së Shtetit dhe Prokuroria e Dibrës kanë kryer verifikimet përkatëse, duke konfirmuar se trupi i përket shtetasit Jurgen Karaj, 30 vjeç, i shpallur i humbur që prej datës 10 janar.
Në operacionin e kërkimit dhe mbështetjes në terren vijojnë të jenë të angazhuar 18 efektivë të Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me autoritetet kompetente.
Autoritetet shprehin ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e viktimës në këtë moment të vështirë.
/a.f/