E Diel, 1 Nëntor 2026

UKRAINË – Sulmet ruse shkaktojnë ndërprerje të mëdha energjie

KIEV, 7 shkurt /ATSH-DPA/ – Rusia ka nisur një sulm të ri masiv ndaj sistemit energjetik të Ukrainës, duke goditur rrjetin elektrik, termocentralet dhe nënstacionet, tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Sulmi i natës së kaluar përfshinte më shumë se 400 dronë dhe rreth 40 raketa të llojeve të ndryshme”, shkroi Zelensky në X.

Dëme u raportuan në rajonet perëndimore të Ukrainës, Volyn, Ivano-Frankivsk, Lviv dhe Rivne.

“Çdo ditë, Rusia mund të zgjidhte diplomacinë e vërtetë, por ajo zgjedh sulme të reja”, tha presidenti, duke i bërë thirrje mbështetësve të procesit aktual të negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA-ja që të reagojnë ndaj sulmeve të fundit.

Zelensky theksoi se Moskës duhet t’i mohohet mundësia për të ushtruar presion mbi Ukrainën përmes motit të ftohtë, dhe shtoi se Ukraina ka nevojë për raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore për të arritur këtë qëllim.

Në Poloni, vend fqinj, avionë luftarakë u ngritën në ajër përgjatë natës si përgjigje ndaj sulmeve.

Sipas komandës operative të ushtrisë së shtetit anëtar të NATO-s, u mobilizuan forca dhe resurset e nevojshme.

Sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe radarët u vunë në gatishmëri.

Aeroportet në Rzeszow dhe Lublin, në lindje të vendit, detyruan të ndërprisnin përkohësisht trafikun ajror.

Kompania shtetërore e energjisë, ”Ukrenergo”, njoftoi se në shumicën e rajoneve të Ukrainës janë vendosur ndërprerje emergjente për shkak të dëmeve.

Këtë dimër, më i ftohti për Ukrainën prej disa vitesh, Rusia po synon gjithnjë e më shumë sistemin energjetik të fqinjit të saj, i cili tashmë është dëmtuar pas pothuajse katër vjetësh lufte./   /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›