Gjendja në shkollat e vendit, Balla: Prefektët do marrin rol drejtues për sigurinë publike

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla bëri të ditur se qeveria ka miratuar ndryshime në ligjin e prefektit. Duke folur për mediat ministri i Brendshëm, Taulant Balla, e konsideroi si mjaft të rëndësishëm institucionin e prefektit.
Ai theksoi se do të ketë më shumë rol në garantimin e sigurisë.
“Gjithashtu, dua të ndaj me ju se po krijojmë edhe Këshillat Vendore të Sigurisë Publike, për të koordinuar më së miri të gjitha agjencitë ligjzbatuese që lidhen me sigurinë publike në çdo komunitet përgjatë zbatimit të paketës të sigurisë në shkolla.
U kemi besuar prefektëve rolin drejtues në këtë proces dhe na ka rezultuar të jetë një rol efikas, por gjithashtu kemi identifikuar edhe disa ndryshime që lidhen me do të thosha unë, nevojën e rregullimit dhe të përcaktimit më qartë të vendimeve të Këshillave Bashkiak apo të akteve të tjera të Njësive të Qeverisjes Vendore, të cilat kalojnë përmes filtrit ligjor të Prefektit për ta reduktuar këtë numër në mënyrë që të lehtësojmë procesin e qeverisjes vendore, por pa harruar asnjëherë rolin shumë të rëndësishëm që ka Prefekti në këtë kontroll.
Dua të informoj publikun se kemi marr si referencë eksperiencat më të mira të rolit të Prefektit, kryesisht modeli francez, ai italian apo dhe rumun dhe besoj që pas miratimit të këtij ligji do të kemi një institucion Prefekti shumë më efektiv në procesin e ndërlidhjes mes qeverisë qendrore, qeverisë vendore dhe mbi të gjitha të organizimit më të mirë të punës në nivel vendor të agjencive shtetërore.”, u shpreh Balla.
I pyetur nga gazetarët Balla shpjegoi edhe pretendimet që qarkullojnë se me këtë rol, prefekti mund të shkarkojë edhe kryetarin e Bashkisë.
“Ka qenë një informacion i rremë lidhur me këtë qasje. Qeveria ka të drejtën e rasteve të propozimit të shkarkimit dhe në ligjin “Për qeverisjen vendore” përcaktohet qartë si zhvillohet ky proces dhe që vendimin përfundimtar e jep Gjykata Kushtetuese. Pra nuk ka një lajm lidhur me këtë pretendim të ngritur në media dhe nuk është e shkruar në ligj, nuk është e vërtetë“, shpjegoi Balla.
Ai shtoi se nuk ka asnjë përplasje të kompetencave mes prefektit dhe kryetarit të Bashkisë, teksa qartësoi se “prefekti është përfaqësuesi vendor i Këshillit të Ministrave. Ajo që për mua sot ka më shumë rëndësi, sa i përket rolit të Prefektit, është drejtimi i Këshillit Vendor të Sigurisë Publike, i cili bën bashkë të gjitha agjencitë për të garantuar sa më shumë siguri publike në çdo komunitet. Unë ju thashë nga zbatimi i Paketës së Sigurisë në Shkolla në territor, kemi kuptuar sa e rëndësishme është koordinimi i të gjitha agjencive ligjzbatuese në funksion të rritjes së cilësisë së sigurisë publike. Kemi qenë e mbetemi të qartë me publikun, Shqipëria kampione e Ballkanit jo vetëm në turizëm, por edhe në çdo fushë tjetër përfshirë sigurinë publike nuk është më një ëndërr, por një realitet për të cilën punojmë ta realizojmë çdo ditë“
/rtsh.al/