E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjeneral Spahiu, 3 muaj mosshpërfillës ndaj kërkesës së Jaupit

19/04/2009  Nuk dihen arsyet që kanë ndikuar në veprimin absurd të ushtarakut

Ish- komandanti i Forcës së Bashkuar zgjodhi heshtjen në vend të përgjigjes

TIRANE- Heshtja tre mujore e ish-gjeneralit të Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, duket se do i kushtojë shtrenjtë ushtarakut në procesin gjyqësor që pritet të fillojë në datën 4 maj në Gjykatën e Lartë. Mësohet se institucioni përgjegjës për dhënien e autorizimit të fillimit të punimeve në fshatin Gërdec të Vorës ka qenë Komanda e Forcës së Bashkuar që ndodhet në zonën e plepave në Durrës. Pikërisht në drejtim të kësaj komande, ku drejtues ishte i pandehuri Shpëtim Spahiu janë dërguar plot tre kërkesa nga drejtuesi i Brigadës Ajrore Astrit Jaupi. Në kërkesën që dërgonte ky i fundit kërkohej dërgimi i një urdhri ligjor nga ana e komandantit Shpëtim Spahiu, i cili do shprehej me shkrim nëse do të lejonte fillimin apo jo të punimeve në fshatin Gërdec, nga firma “Trans Digginnin Construçtion”. Mirëpo siç duket me veprimet dhe mosveprimet e tij ish-gjenerali i njohur që në supet e tij qëndron një karrierë e gjatë ushtarake, ka shpërfillur 3 kërkesat e Jaupit, duke zgjedhur që përgjigjen t’ia kthejë me heshtje. Burimet pranë organit qendror të akuzës shqiptare thanë se kjo mospërfillje ka ndodhur në një periudhë gati tremujore. Nuk dihet me saktësi se cilët kanë qenë faktorët apo personat që kanë ndikuar në vendimmarrjen e gjeneralit, por Prokuroria e Përgjithshme dyshon se ata mund të kenë qenë administratorët e firmës që kryente punimet ose persona me hierarki më të lartë se komandant Spahiu. Gjatë procesit hetimor specialistët e dosjes “Gërdeci” janë munduar të hedhin dritë për qëllimin apo motivet e këtij mosveprimi, por deri më tani nuk është zbardhur asnjë gjë. Veprimi absurd i ish-drejtuesit të Komandës së Forcës së Bashkuar ka sjellë që në repartin e Gërdecit të shkatërrohen disa ndërtesa si dhe mbi to të ndërtohet e ashtuquajtura “punishtja e vdekjes”, ku nga shpërthimi i së cilës humbën jetën 26 persona dhe u plagosën plot 300 të tjerë. Sipas burimeve jozyrtare, punimet e kompanisë “Trans Diggining Construçtion” në Gërdec ishin kryer pa incidente, ndërsa urdhri ishte dhënë verbalisht nga gjenerali Shpëtim Spahiu. Burimet konfirmuan se kjo “gafë” është vetëm njëra shkelje e gjeneralit Spahiu, duke shtuar se për gjetjen fajtor të tij janë sekuestruar edhe disa urdhra të tjerë, të cilët do të publikohen gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë. Pikërisht në këtë institucion organi i akuzës do të përballen në 4 maj me 29 të pandehur, ku shumica e të cilëve akuzohet për shpërdorim detyre sipas Kodit Penal Ushtarak. Në listën e emrave ndodhet edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-Shefit të Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha, zv/shefit Agim Lala si dhe personave të tjerë që janë të njohur në radhët e ushtrisë. Të pandehur janë marrë edhe drejtuesit e firmës “Albademil” Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli. Gjithashtu Prokuroria e Përgjithshme ka marrë të pandehur edhe drejtuesin e ndërmarrjes së eksport-importit Ylli Pinarin si dhe inspektorin e kësaj ndërmarrje Sokol Ngjeçi. Katër personat e përmendur akuzohen për një sërë veprash penale ku më të rëndat janë ato si “vrasje masive”, apo “shpërdorim detyre”.

Kompania TDÇ

Kompania e gërmimit të dherave “Trans Diggining Construçtion” është krijuar në shkurt 2006 me pesë aksionerë, ku bënin pjesë Mihal Delijorgji, vëllai i tij Kristo, Henris Balliu, vajza e botuesit Fahri Balliu si dhe dy pjesëmarrës të tjerë në aksione. Kjo kompani ka ndërtuar fabrikën ku më pas subjekti i Delijorgjit, “Albademil”, bëri demontimin e municioneve

Gjykimi

Prokuroria si përfaqësuese e akuzës si dhe të pandehurit dhe avokatët e tyre mbrojtës janë në pritje të datës 4 maj 2009, kur Gjykata e Lartë ka caktuar seancën e parë për dosjen “Gërdeci”. Fashikulli voluminoz është dorëzuar në Gjykatën e Lartë më 13 mars 2009 pas përfundimit të hetimeve për ngjarjen e një viti më parë, që shkaktoi 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur rëndë.

Dëshmitarët

Plot 400 dëshmitarë pritet të thirren nga organi i akuzës gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor ndaj 29 të pandehurve të çështjes “Gërdeci”. Personat që do të tregojnë mënyrat e ndjekura për ndërtimin e fabrikës në Gërdec si dhe për furnizimin e saj me municion, do të jenë të funksioneve të ndryshëm duke përfshirë këtu politikanë dhe ish-ministra të qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›