E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Krijimi”, premiera e Hajdenit në TKOB

19/04/2009  Oratori

“Krijimi”, premiera e Hajdenit në TKOB

Koreografi italian Tony Candeloro rivjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Këtë herë krahas koreografisë i janë besuar edhe skenat e kostumet e premierës së re të TKOB, e cila pa dyshim, ashtu si e dëshmon edhe vetë emri, përmban shumë “krijim”.

“Die Schopfung” (“Krijimi”), një orator, do të ngjitet në skenë në datat 25, 26 dhe 27 prill dhe do të angazhojë solistët më të mirë, trupën e baletit, korin dhe orkestrën simfonike të TKOB-së. Solistët lirikë Eriona Gjyzeli, Dorina Selimaj, Emiljana Palushaj, Taehyun Jun, Cosimo Panozzo do të vijnë në veprën me muzikë të Joseph Haydn. Ndërkohë dirigjent është Zhani Ciko dhe dirigjent kori i shfaqjes Dritan Lumshi.

“Krijimi” u prezantua për herë të parë në Vjenë (në Pallatin Schwarzenberg) në prill dhe maj të 1798 për një publik të zgjedhur. Për publikun u vu në skenë për herë të parë në mars të vitit 1799 në Burgtheater të Vjenës. Premiera pati një sukses të madh dhe u rivu në skenë në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë jetës së Hajdenit.

Më pas oratori u përkthye në anglisht dhe u vu në skenën e “Convent Garden” të Londrës në vitin 1800 dhe pas kësaj, kompozitorët u autorizuan ta përkthenin në të gjitha gjuhët evropiane.

Një ripërpunim i ri për tre zëra solistësh, kor e orkestër tungjesh (me instrumenta tunxhi) u vu në skenë për herë të parë më 19 korrik 2006 në përfundim të festivalit “Thurn und Taxi” të Ratisbonës, ku mori pjesë kori i zërave të bardhë “Regensburger Domspatzen” si dhe “Swiss Army Brass Band”. Një shfaqje tipike e “Krijimit” zgjat deri në 1 orë e 45 minuta.

Ngjizja...

Ideja për të kompozuar veprën “Krijimi” piqet te Hajdeni mes viteve 1791–1795, gjatë njërit prej udhëtimeve të tij në Londër. Këtu Hajdeni pati mundësi të njihte oratorët e Hendelit dhe kishte mbetur shumë i impresionuar prej tyre. Oratori i Hendelit prej asaj kohe do të përbëjë stimulin dhe modelin ideal të oratorëve që do të kompozojë më vonë Hajdeni. Teksti i “Krijimit” është marrë nga poema e Lindley, bazuar në pjesën më të madhe në poezinë “Paradiso perdutos” të John Milton, material të cilin në fakt Hendeli kishte dashur ta kompozonte.

Përmbajtja e “Krijimit” ndahet në tri pjesë: e para, tregon krijimin e elementeve natyrore, pas preludit instrumental që përshkruan kaosin e fillimit; në pjesën e dytë ilustrohet krijimi i kafshëve, deri te qënia më e lartë- njeriu, imazhi i drejtpërdrejtë i Zotit; pjesa e tretë konsiston në një soditje idilike të parajsës tokësore të banuar nga Adami dhe Eva, akoma të paprekur nga mëkati. Muzikalisht, përmes ndërthurjes së recitativëve, arieve, pjesëve të përbashkëta, koraleve, shpërthen dhe ilustrohet gjithë procesi i krijimit të botës, që prej ndarjes së dritës me errësirën deri tek Adami dhe Eva në parajsën tokësore. Në një krahasim mes “Krijimit” të Hajdenit dhe një oratori hendelian (për shembull Messiah) vihet re diferenca mes një koncepti barok të artit dhe një koncepti klasik të ushqyer nga fara iluministe. Kontrastet e mëdha të ngjyrave dhe tingullit, të cilat nga Hendeli u realizuan me efekte masivë, te Hajdeni u zëvendësuan nga një logjikë e kujdesshme elementesh shprehëse.

.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›