Gjenerali Buhler pas Kosovës mision në Afganistan
Pas përfundimit të detyrës si komandant i trupave të KFOR-it në Kosovë, gjenerali gjerman, Erhard Buhler, do të angazhohet në misionin e NATO-s në Afganistan. Këtë e ka bërë të ditur gjenerali Buhler në një darkë lamtumire, të organizuar nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, në shenjë respekti për misionin e komandantit Buhler dhe të KFOR-it në këtë zonë.
Gjenerali Buhler tha se për pak kohë do të qëndrojë me familjen e tij në Gjermani, e më pastaj do të vazhdojë detyrat e ushtarakut të karrierës dhe si shërbyes i paqes e demokracisë në misione ndërkombëtare të trupave paqësore të NATO-së në Afganistan.
“Do të më mungojë ky vend e këta njerëz, ku kam krijuar shumë miq, por ja që po vjen dita e ndarjes, pasi më 9 shtator unë dorëzoj detyrën”, ka paralajmëruar komandanti në largim i KFOR-it. Nga ana e tij kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, e ka vlerësuar si shumë të suksesshëm bashkëpunimin me KFOR-in. Përveç detyrave prej ushtaraku, gjenerali Buhler kishte ndërmjetësuar marrëveshjen pas ngjarjeve të fundit në Veri, e po ashtu në cilësinë e ndërmjetësit në muajt maj dhe qershor kishte ulur bashkë në bisedime edhe kreun e Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku dhe serbët e fshatit Prelluzhë për projektin e ndërtimit të urës si dhe për investimet e qeverisë në infrastrukturën e fshatit.