E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenerali padi kundër Presidentit

Ish-kreu i Komandës Mbështetëse, Gjeneral Brigade Zija Bahja, hodhi në gjyq kreun e shtetit për dekretin e lirimit nga detyra, pas ngjarjeve të Gërdecit. Sipas padisë, presidenti tejkaloi kompetencat

TIRANË - Paditet në gjykatë presidenti i vendit, Bamir Topi. Padinë kundër kreut të shtetit e ka bërë Gjeneral Brigade Zija Bahja, i cili deri para një muaji mbante detyrën e  komandantit të Komandës Mbështetëse. Padia u bë kundër dekretit të fillim muajit të kaluar, të firmosur nga presidenti për lirimin nga detyra të dy ushtarakëve madhorë dhe për shpalljen e paligjshmërisë së këtij dekreti. Në datë 9 maj të këtij viti, me anë të një dekreti presidencial, Bamir Topi liroi nga detyra pas një propozimi të bërë nga ana e ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, dy gjeneralë madhorë të ushtrisë. Gjeneral Major Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcës së Bashkuar dhe ish-kreu i Komandës Mbështetëse, Zija Bahja, u liruan në të njëjtën ditë, pas një analize që zyrtarisht nga dikasteri i Mbrojtjes u tha se ishte bërë në lidhje me ngjarjet e Gërdecit, në një kohë që dy gjeneralët madhorë dhe dhjetëra vite karrierë në kurriz, pretendojnë se nuk është bërë asnjë analizë e thellë në lidhje me ngjarjet e Gërdecit. Padia e bërë nga Bahja konsiston në shfuqizimin e urdhrit të lirimit të firmosur me dekret nga presidenti, pasi sipas ligjit, ministri mund t’i bëjë propozim presidentit për shkarkimin e një gjenerali, por nxjerrja në lirim është kompetencë e tij, pra e ministrit dhe në këtë rast sipas paditësit, kreu i vendit ka tejkaluar kompetencat që i jep ligji. Tashmë pretendimet e të dyja palëve do të përballen në gjykatë, ku gjyqtarja Alkelina Gazidede pasi të dëgjojë dhe vlerësojë të gjitha provat që do të çojnë në gjyq palët, do të duhet të japë një vendim në bazë të ligjit për padinë e bërë nga Bahja në lidhje me dekretin e presidenti, ku ky i fundit, njëkohësisht dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, strukturë që emëron dhe shkarkon gjyqtarët. Gjykata e Tiranës para se të ketë në dorë dosjen e tragjedisë së Gërdecit, duket se do të njihet paraprakisht me këtë tragjedi nëpërmjet gjyqeve që do të bëhen nga ata që e kanë ndjerë veten “koka turku” dhe kanë bërë padi civile kundër presidentit apo Ministrisë së Mbrojtjes. Vetëm pak ditë më parë një padi të ngjashme me atë që bëri Gjenerali i Brigadës, Zija Bahja, u bë nga ana e Gjeneral Major Shpëtim Spahiu. Edhe ky i fundit nëpërmjet avokatit të tij, Vladimir Meçi, bëri në Gjykatën e Tiranës padi për shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës, për lirimin e tij nga detyra.

Gjeneral Kosova, padi të re për Mbrojtjen 

Pas kërkesës për dëmshpërblim për gati dhjetë vitet e fundit që nuk është më në radhët e ushtrisë, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sheme Kosova, ka depozituar një tjetër kërkesë në Gjykatën e Tiranës. Bëhet fjalë për një padi ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, me objekt “shfuqizimin e aktit administrativ”. Sipas burimeve nga gjykata, mësohet se kjo kërkesë i është nënshtruar ditën e djeshme shortit elektronik, i cili përzgjodhi Asim Vokshin si gjyqtarin që do të gjykojë kërkesën e gjeneralit me katër yje. Paralelisht me këtë kërkesë, Gjykata e Tiranës po shqyrton një tjetër padi, me anë të së cilës gjenerali kërkon nga Ministria e Mbrojtjes pagën dhe përfitime të tjera financiare për 9 vjet.

Gradat po ua kthen gjykata

Gjeneralët që iu drejtuan gjykatës gjatë viteve të fundit, kanë pasur të gjithë grada madhore në ushtri dhe iu janë hequr pothuajse të gjithëve nga dekrete të firmosura nga Presidentë të Republikës në kohë të ndryshme, megjithëse më së shumti ka zhgraduar gjeneralë me dekrete presidenciale ish-kreu i vendit, Rexhep Meidani, pas vitit të mbrapshtë 1997. Agim Shehu, ish-Gjeneral Lejtnant; Ali Koçeku, ish-Gjeneral Brigade; Ilia Vasho, ish-gjeneral; Bajram Malaj, ish-Gjeneral Brigade; Halit Gjençaj e Dilaver Laçi, të dy gjeneralë së bashku me ish-gjeneralët e brigadave Vladimir Ismolli dhe Aqif Cukalleshi, janë ndër emrat më të njohur që i janë drejtuar së fundmi Gjykatës së Rrethit Tiranë, për të shfuqizuar vendimet presidenciale kundër tyre. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›