Karolinë Kenedi, zëvendëse e Obamës

Hilari Klinton duket se do të mbetet “me gisht në gojë”. Pasi humbi garën brenda demokratëve për të qenë kandidate zyrtare e partisë për presidente, ish-Zonja e Parë duket se do të mbetet edhe pa postin e zëvendëspresidentes. Natyrisht, nëse ish-rivali i saj, Barak Obama do të fitojë garën kundër republikanit Xhon MekKein. Mediat amerikane raportojnë se skenari i vitit 2000, kur Dik Çenei zgjodhi vetveten si zëvendëspresident të SHBA-ve, mund të përsëritet sërish. Karolinë Kenedi, vajza e ish-presidentit të vrarë, Xhon Kenedi, e përzgjedhur nga Obama për të gjetur personin e duhur për postin e zëvendëspresidentit, mund të kandidojë vetë për t’u bërë numri dy i SHBA-ve. Analistët thonë se një gjë e tillë do t’i jepte jetë “biletës së ëndrrave” të saj, shumë më të mirë se dyshja Obama-Klinton, duke rritur edhe mundësitë që senatori me ngjyrë të fitojë betejën e nëntorit. Zërat e zbritjes në garë të vajzës 50-vjeçare të ish-presidentit amerikan që u vra në Dallas në 1963-shin, kanë nisur që herët në fakt. Janarin e kaluar, në një editorial në “Nju Jork Tajms”, (gazetë e radhitur në atë kohë përkrah Hilari Klinton), Karolina bëri përkrahjen e parë politike në jetën e saj, ku i kërkoi Amerikës të zgjedhë Barak Obamën, të cilin e përshkroi: “Një president i mirë, ashtu si im atë”. Ajo që ka rilëshuar idenë e dyshes Obama-Kenedi, është tani “Huffington Post”, uebsajti më me influencë në debatet politike të Amerikës, i cili nuk ka dyshime se Karolina, trashëgimtarja e familjes magjike dhe pafat Kenedi, është pikërisht personi i zgjedhur për të përmbushur rrugën politike dhe ideale të Kenedëve, e ndërprerë nga shumë tragjedi. Pas sëmundjes së kohëve të fundit të xhaxhait Ted, patriarkut të klanit Kenedi dhe skandaleve të shumta që kanë përfshirë kushërinjtë e saj, Karolina stoike dhe e rezervuar është praktikisht e vetmja nga familja e saj që mund të çojë përpara “kenedizmin”, nga i cili është frymëzuar Obama, në kërkimin dhjetëravjeçar për një hero të ri. “Kur vendi ishte i pangushëllueshëm për vdekjen e vëllait të saj, Xhon Junior dhe nënës, Xheki, ishte pikërisht ajo që na mori për dore, duke na treguar rrugën”, - shkruan “Huffington Post”. Sipas uebsajtit, vendi ka ende nevojë për të, dhe është pikërisht fati që e solli në rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë. Burimi thekson se me apo pa dashje, Karolina bën pjesë në elitën socio-politike të kombit amerikan qëkur ka lindur. Fotografitë e saj mbi mëz e më pas në varrimin e të atit, kanë shënuar një epokë për vendin. Sa u përket pretendimeve se ajo nuk ka eksperiencë politike, “Huffington Post” replikon se ajo ka punuar një jetë të tërë për të ndihmuar të pafatët, siç pretendon se ka bërë dhe Hilari. Për uebsajtin, CV-ja e saj pa njolla, gafa e skandale, do të ishte shumë më e preferueshme në krahasim me atë të ish-Zonjës së Parë.