E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artriti që po grin shqiptarët

Rreth 200 pacientë në vit shtrohen në spitalin Nënë Tereza në gjendje të rëndë. Ky është një numër i vogël i të diagnostikuarve me artrit, pasi pjesa më e madhe kurohen në shtëpi. Këshilla se çfarë duhet bërë kundër sëmundjes dhe çfarë është e ndaluar të bëhet

TIRANË - Shqiptarët janë të rrezikuar seriozisht nga sëmundjet reumatizmale. Reumatizma ndahet në 90 lloje dhe disa prej janë tepër të rrezikshme, deri edhe fatale për jetën e njeriut. Njëra nga sëmundjet reumatizmale që haset më shpesh te pacientët që shtrohen në pavijonin e reumatologjisë, në spitalin “Nënë Tereza”, është artriti reumatoid. Në një prononcim të dhënë për “Korrierin”, mjeku reumatolog i pavijonit të reumatologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Artur Zoto, shpjegoi pasojat dhe simptomat e kësaj sëmundjeje, si dhe medikamentet me të cilët kurohet.

Në pavijonin e reumatologjisë në QSUT-së, rreth 200 persona në vit shtrohen të prekur nga kjo sëmundje. “Këshillat që iu japim ne të sëmurëve me artrit, janë qëndrimi në ujë të ftohtë për aq sa munden dhe vendosja e kompresave me akull në vendet e prekura nga kjo sëmundje. Ndërsa është e ndaluar qëndrimi në diell apo në rërë të nxehtë në periudhën e plazhit, si edhe llixhat”, sqaroi reumatologu Artur Zoto.    

Për sa u përket shkaqeve që çojnë në përftimin e sëmundjes së artritit, Zoto tha se “shkaku i artritit deri në ditët e sotme nuk dihet”. Ai e përcaktoi artritin reumatoid si sëmundje të cilën trupi e prodhon vetë. Shënjestrat e para të sulmit të kësaj sëmundjeje janë kyçet e duarve. Krahas kyçeve, artriti prek edhe bërrylat, supet dhe gjunjët. Përveç këtyre pjesëve të trupit që prek artriti reumatoid, Zoto shpjegoi se kjo sëmundje në fillesat e saj ka një shenjë shumë tipike. Të sëmurët me artrit reumatoid kur zgjohen në mëngjes mezi i hapin dhe i mbledhin kyçet e duarve, domethënë kanë një ngurtësim të gishtërinjve dhe të duarve. Ky ngurtësim varion nga gjysmë ore deri në një orë dhe është një kriter shumë i rëndësishëm diagnostikues i kësaj sëmundjeje. Ndërsa në lidhje me frenimin apo shërimin e artritit reumatoid, reumatologu Artur Zoto shpjegoi se “artriti si sëmundje nuk shërohet plotësisht, por nëse trajtohet me medikamentet e duhura, mund të përmirësohet deri në 70 ose 80 për qind”. Domethënë, një i sëmurë me artrit mund ta mbajë nën kontroll me anë të kurave këtë sëmundje, por nuk mund të shërohet kurrë plotësisht. Përveç medikamenteve kundër artritit, të cilët janë kortizonikët dhe ilaçet antiinflamatore, Zoto tha se “në shtete të tjera artriti trajtohet edhe me disa ilaçe tepër kurative, por me një kosto tepër të lartë financiare, të cilën ne nuk mund ta përballojmë dot”. Këto ilaçe të cilat etiketohen si “Arava” dhe “Mabthera”, janë medikamente shumë të forta dhe përdoren vetëm në raste të veçanta, kur i sëmuri është në shkallën më të lartë të sëmundjes. Artriti reumatoid ndahet në katër shkallë: shkalla e parë është ajo fazë fillestare, kur i sëmuri ka dhimbje të lehta të duarve. Në shkallën e dytë dhimbjet fillojnë të shtohen, krijohen enjte të kyçeve dhe të pjesëve të tjera, si bërrylave dhe gjunjëve. Shkalla e tretë ka pothuajse të njëjtën ecuri si shkalla e dytë, ndërsa shkalla e katërt është ajo kur i sëmuri fillon të pësojë deformime të duarve, bërrylave, gjunjëve dhe pjesëve të tjera të prekura nga artriti.

Medikamentet me të cilat trajtohet artriti

1. Kortizoni

2. Metatroksati

3. Naprokseni

4. Sinalgo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›