E Martë, 3 Nëntor 2026

Gjeneralmajori amerikan takon Begaj: Forcim i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë!

Shtetet e Bashkuara angazhohen për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me Shqipërinë.

Kjo u bë e ditur në një njoftim të Ambasadës Amerikane në Tiranë, pas vizitës në Tiranë të gjeneralmajorit Daniel Lasica, Drejtor i Politikave, Strategjisë, Planifikimit dhe Kapaciteteve të Komandës Europiane të SHBA J5. 

Ushtaraku i lartë amerikan u takua me Presidentin Bajram Begaj, si dhe përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Sikurse thekson ambasada e SHBA-së në Tiranë “kjo vizitë thekson angazhimin e Shteteve të Bashkuara për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me Shqipërinë”.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për aleancën e NATO-s dhe qëndrimin e saj të fortë për sigurinë euroatlantike. Së bashku, ne qëndrojmë të bashkuar në mbështetjen tonë për Ukrainën dhe angazhimin tonë për ruajtjen e paqes, mbështetjen e ligjit ndërkombëtar dhe integritetin kufitar”, shkruhet në njoftimin e ambasadës.

Po këtë javë Shqipërinë e vizitoi një tjetër zyrtar i lartë amerikan, koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin e Shtetit të SHBA, Richard Nephew. Ai konfirmoi mbështetjen e SHBA-së për institucionet shqiptare të drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zoti Nephew zhvilloi takime me kreun e SPAK, Altin Dumani e zyrtarë të tjerë të lartë, ku konfirmoi mbështetjen në këtë fushë.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›