Gjeopolitika e Argjilës
Sipas gazetave dhe revista analitike, e ardhmja e punëve të jashtme, kryesisht mbështetet në idetë: nxitja morale për ndërhyrje humanitare; teoritë e ndryshme që rregullojnë normat e këmbimit dhe rebalancimin e borxhit, të nevojshme për të stabilizuar Evropën; rritja e kozmopolitizmit përkundrejt ngazëllimit kokëfortë të nacionalizmit në Azinë Lindore; e kështu me radhë. Me fjalë të tjera, bota e së ardhmes mund të skicohet dhe të përkufizohet në bazë tezash doktoraturash. Dhe në një masë të caktuar kjo mund të jetë e vërtetë. Ashtu siç na tregoi dhe shekulli XX, ideologjitë - si fashizmi komunizmi apo humanizmi – kanë luajtur një rol të madh.
Por ka një tjetër të vërtetë: Realiteti i forcave të mëdha që nuk varen nga njeriu, si gjeografia dhe mjedisi, ndihmojnë gjithashtu për të përcaktuar të ardhmen e ngjarjeve njerëzore. Afrika ka qenë historikisht e dobët kryesisht për shkak të pak porteve natyrore dhe të pak lumenjve të lundrueshëm nga brendësia e kontinentit deri në bregdet. Rusia është paranojake, sepse territori i saj tokësor është i ekspozuar ndaj pushtimit duke pasur pak pengesa natyrore. Sheikët e Gjirit Persik janë tmerrësisht të pasur jo për shkak të ideve, por për shkak të burimeve të mëdha nëntokësore. E kuptoni pra? Intelektualët janë përqendruar në atë që ata mund të ndryshojnë, por ne jemi të pafuqishëm për të ndryshuar shumë nga ajo që mund të ndodhë.
E nisim me shistin argjilor, një shkëmb sendimentar në të cilin mund të gjendet gaz natyror. Gazi argjilor përbën një burim të ri të energjisë për botën post-industriale. Vendet që kanë depozita të konsiderueshme argjile do të pozicionohen mirë në konkurrencën e shekullit të 21-të midis shteteve, dhe ato shtete që nuk kanë burime të tilla do të jenë më keq të pozicionuara. Idetë do të merren parasysh shumë pak në këtë drejtim. “Stratfor” e ka studiuar këtë çështje në thellësi. Kjo analizë e imja është ndikuar pjesërisht nga hulumtimet e “Stratfor”.
Pra, le të shohim se kush ka burime argjilore dhe se sa kjo mund të ndryshojë gjeopolitikën. E ardhmja do të ndikohet shumë nga ajo se çfarë ka nëntokë. Shtetet e Bashkuara rezulton se kanë depozita të mëdha të gazit argjilor: në Teksas, Louisiana, North Dakota, Pennsylvania, Ohio, Neë York dhe gjetiu. Amerika, pavarësisht nga shumë zgjedhje politike që bën, është e gatshëm të jetë një gjigant i energjisë së shekullit të 21-të. Në veçanti, brigjet e gjireve përqendruar në Teksas dhe Luizianë, kanë nisur me nxjerrjen e gazit argjilor. Ky zhvillim do të kthejë Karaibet në një pikë qendrore ekonomike të hemisferës perëndimore, i inkurajuar më tej nga zgjerimi në 2014 i Kanalit të Panamasë. Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi mes Teksasit dhe Meksikës do të intensifikohet edhe më shumë, kur Meksika të bëhet një treg i gazin argjilor, me basenet e saj argjilore të shfrytëzueshme pranë kufirit të saj verior.
Ky është, pjesërisht, lajm shqetësues për Rusinë. Rusia është aktualisht gjiganti energjetik i Evropës, duke eksportuar drejt perëndimit gaz natyror në sasi të mëdha, duke siguruar për Moskën avantazhe politike në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore në veçanti. Megjithatë, rezervat e Rusisë janë shpesh në pjesët e Siberisë që janë të vështira dhe të shtrenjta për tu shfrytëzuar – edhe pse teknologjia e vjetruar e nxjerrjes së burimeve nëntokësore të Rusisë është modernizuar në mënyrë të konsiderueshme. Rusia për momentin mund të përballet me konkurrencë relativisht të vogël në Evropë. Por çfarë do të ndodhte nëse në të ardhmen Shtetet e Bashkuara do të ishin në gjendje të eksportonin gaz argjilor në Evropë me një çmim më konkurrues?
Shtetet e Bashkuara ende kanë pak mundësi të eksportojnë gaz argjilor në Evropë. Ato duhet të ndërtojnë impiante të reja lëngëzimi për të arritur këtë gjë, me fjalë të tjera, ato do të duhet të ngrenë impiante në Gjirin e Meksikës që konvertojnë gazin në të lëngshme në mënyrë që ai të mund të transportohen me anije nëpër Atlantik, ku me anë të impianteve të lëngëzimit atje të mund të rikthehet përsëri në gaz. E gjithë kjo
mund të arrihet vetëm me investime kapitale, ekspertizë dhe legjislacion të favorshëm. Vendet që ndërtojnë impiante të tilla do të kenë më shumë opsione energjie, të eksportit ose importit të saj, etj. Pra, imagjinoni një të ardhme në të cilën Shtetet e Bashkuara eksportojnë gaz të lëngshëm argjilor në Evropë, duke ulur varësinë që vendet evropiane kanë nga energjia ruse. Gjeopolitika e Evropës mund të zhvendoset disi. Gazi natyror mund të shërbejë më pak si një mjet politik për Rusinë.
Një varësi më e vogël ndaj Rusisë do të lejonte vizionin e një Europe Qendrore dhe Lindore me të vërtetë të pavarur, të gjallë kulturalisht për prosperitet të plotë - një ideal ky i intelektualëve të rajonit për shekuj me radhë. Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme në Poloni. Për Poloninë mund të jenë domethënëse depozitat e gazit argjilor. Nëse depozitat argjilore në Poloni do të ishin më të mëdhatë në Europë (një"nëse" e madhe këtu), Polonia mund të kthehej në një prodhues i energjisë në të drejtën e vet, duke e kthyer këtë vend të sheshtë pa asnjë mbrojtje natyrore në lindje dhe në perëndim – e asgjësuar nga të dyja fuqitë, Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik, në shekullin e 20-të - në një shtet apo fuqi qendrore në shekullin 21. Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër, disi të çliruar nga nafta e Lindjes së Mesme për shkak të burimeve të veta energjetike (duke përfshirë nxjerrjen e gazit natyror), mund të përqendrohen në ndërtimin e Poloninë si një fuqi miqësore. Të jemi të bindur, depozitat e mëdha të naftës dhe gazit natyror në Gadishullin Arabik, Irak dhe Iran do vazhdojnë ta bëjnë Lindjen e Mesme ndër eksportuesit më të mëdhenj të energjisë për dekada të tëra. Por revolucioni i gazit argjilor do të komplikojë kërkesën dhe ofertën e botës së hidrokarbureve, kështu që Lindja e Mesme mund të humbasë diçka nga supermacia e saj.
Rezulton se Australia ka gjithashtu depozita të mëdha, të reja të gazit natyror që, me impiante lëngëzimi, mund ta kthejnë atë në një eksportues kryesor të energjisë për Azinë Lindore, duke supozuar se Australia do të ulë konsiderueshëm koston e tij të prodhimit (gjë që mund të jetë shumë e vështirë për t’u bërë). Duke qenë se Australia tashmë ka filluar të shfaqet si aleati më i besueshëm ushtarak i Shteteve të Bashkuara në anglosferë, aleanca e këtyre dy prodhuesve të mëdhenj të energjisë në të ardhmen mund të çimentojë më tej ndikimin perëndimor në Azi. Shtetet e Bashkuara dhe Australia do ta ndajnë botën mes tyre. Në të vërtetë, në qoftë se nuk do të ishte shfrytëzimi i gazit natyror, e ashtuquajtura botë post-amerikane nuk do të ekzistonte.
Shfaqja gjeopolitike e Kanadasë - përsëri, si rezultat i gazit natyror dhe naftës - mund ta plotësojë këtë prirje. Kanadaja ka depozita të pafundme të gazit natyror në Alberta, që mund të transportohet me tubacione në British Columbia, ku, me impiante lëngëzimi, ai pastaj mund të eksportohej në Azinë Lindore. Ndërkohë, Kanadaja Lindore mund të jetë përfituese e burimeve të reja të gazit argjilor që gjenden përtej kufirit verilindor të Shteteve të Bashkuara. Kështu, zbulime të reja të energjisë do të lidhnin më shumë dy vendet e Amerikës së Veriut, edhe pse Amerika e Veriut dhe Australi bëhet më të fuqishmet në skenën botërore.
Kina gjithashtu ka depozita të konsiderueshme të gazit argjilor në krahinat e brendshme të saj. Duke qenë se Pekini ka relativisht pak rregulla (në lidhje me pronësinë), regjimi mund të marrë territorin që i nevojitet për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme për shfrytëzimin e tij. Kjo do të lehtësojë disi konsumin e energjisë së Kinës dhe do ta ndihmonte strategjinë e Pekinit për të kompensuar mossuksesin e plotë të modelit ekonomik me orientim bregdetar, duke nxitur zhvillimin në brendësi.
Vendet që mund të mendohet të vuajnë për shkak të një revolucioni të gazit argjilor do të jenë vendet pa dalje në det, prodhuesit e naftës politikisht të paqëndrueshëm,të tilla si Sudani, Çadi dhe Sudani Jugut. Kina sidomos, në të ardhmen mund të humbasë interesin në depozitat e energjisë të këtyre vendeve me rrezik të lartë, nëse nxjerrja e gazit argjilor bëhet në brendësi të vendit të saj.
Në përgjithësi, “ardhja” e gazit argjilor do të lartësojë rëndësinë e gjeografisë. Ato vende që kanë rreshpe nëntokësore dhe ato që nuk kanë; kjo do të ndihmojë në përcaktimin e marrëdhënieve të pushtetit mes tyre. Dhe për shkak se gazi argjilor mund të transportohet në të gjithë oqeanet në formë të lëngshme, shtete me brigje do të ketë përparësi. Bota do të jetë më e vogël për shkak të teknologjisë së nxjerrjes së gazit të pazakontë, por kjo gjë vetëm do të rrisë përpikërinë e gjeografisë, dhe nuk do ta zvogëlojë atë.