Presidenti Nishani dhe kryeministri Berisha urojnë besimtarët për festën e Krishtlindjeve
Nishani: Vëmendje ndaj njerëzve në nevojë, Berisha: Dita e shpresës së pashuar
Presidenti i vendit Bujar Nishani dhe kryeministri Sali Berisha kanë uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes.
Presidenti Nishani u uron Krishtlindjen të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë.
“Kjo ditë e shenjtë e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ditën e lindjes së Krishtit dhe të forcimit të besimit në Zot, rilind në zemrat e mbarë besimtarëve përjetime të gëzimit dhe të shpresës për të ardhmen, ku të gjithë, me dëshirë e besim, bashkohemi në qëllimet më fisnike e në vlerat më të larta njerëzore”- e nis mesazhin e urimit presidenti Nishani.
Në këtë ditë të Krishtlindjes Presidenti apeloi për shumë mendje ndaj njerëzve në nevojë , tek ata që ndihen të vetmuar, ata që kanë humbur shpresën dhe besimin për një të ardhme më të mirë.
Duke vlerësuar traditën e historike dhe kulturore të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, kreu i shtetit thekson se kjo pasuri shumëshekullore na mëson të mbështetemi tek mirëkuptimi, besimi, bashkëpunimi dhe ndjenja e solidaritetit me njëri-tjetrin, si mënyra e vetme për të ecur të sigurt drejt prosperitetit, për të ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi parime të lirisë e të së drejtës dhe të denjë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.
“Kremtimi i Krishtlindjes është një tjetër mundësi për të forcuar lidhjet tona shumëshekullore, në mënyrë që të përballojmë me sukses sfidat që kemi përpara si shoqëri dhe si komb.
Këtë Krishtlindje e festojmë në një moment të veçantë për kombin tonë, në 100-vjetorin e Pavarësisë, ndaj le të tejkalojmë çdo pengesë artificiale dhe të bashkojmë të gjitha energjitë për të ecur bashkarisht në rrugën e përparimit dhe begatisë njerëzore.
Zoti qoftë me ne shqiptarët në këtë rrugë!
Gëzuar Krishtlindjen! Lumturia familjare, shëndeti i plotë dhe begatia mbizotërofshin në shtëpitë tuaja!” përfundon mesazhi I kreut të shtetit.
Berisha: Kjo ditë, mrekullia e madhe e lindjes
Kryeministri Berisha ne mesnaten e krishtlindjeve ka adresuar nje urim per gjithe te krishteret. “Besimtareve te krishtere shqiptare por edhe te gjithe besimtareve te Zotit, familjarisht ju urojme nga zemra gezuar festen e bukur te Krishtlindjes, kete dite qe simbolizon mrekulline e madhe te lindjes, te shpreses se pashuar, te besimit por dhe diten e lindjes se Jezu Krishtit, burrit qe aq shume ndikoi me fuqine e tij hyjnore e njerezore ne moralin e qyteterimit te sotem- thuhet ne urimin e kryeministrit te Shqiperise me rastin e krishtlindjeve”.