E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monumenti i mbretit Zog, në bulevardin me emrin e tij

25-12-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Përsiatje për një ngjarje fatlume. Krahasime

Bulevardi dhe statuja e mbretit Zog meritojnë krahasime ndërmjet një antishqiptari, siç ka qenë Enver Hoxha dhe një shqiptari të madh, siç ishte Ahmet Zogu I. Me citimin shurdhues, të disahershëm, të ditarit të Çianos, tani na del se vajtën - siç thotë populli - si breshka te nallbani! Aventurieri dhe antishqiptari Çiano na u bë, tashmë, një bumerang. Historianët enveristë, në vend që t’i vinin vetullat tezës së tyre se “Zogu ia shiti Shqipërinë Italisë më 7 prill ‘39”, na del se ia nxorën sytë kësaj teze shpifarake. Sepse  bash 25 ditë para 7 prillit, vetë Çiano shkruan në ditarin e tij   se: “Zogu urdhëroi mobilizimin ushtarak, gjë që e kishte shqetësuar Duçen” (f. 24 e Ditarit Çiano, botuar në shqip në vitin 1994). Për më tepër, nga shqyrtimi i këtij ditari, kemi cituar në një shkrim të 24 dhjetorit 2012, për komplotin kundër jetës së Zogut nga Çiano (me miratimin e Duçes, kuptohet), me kompensim prej dhjetë milionësh të atentatorit shqiptar (data 5 dhjetor 1938). Në këtë ditar del edhe politika projugosllave e Çianos.
Mjafton kaq, si përmbledhje artikullit të 24 dhjetorit, që të dalë si deduksion se historianë të indoktrinuar janë falsifikatorë. Sepse është pak të thuash se duan të nxjerrin dhjamë nga pleshti. Duan, për më tepër, të mbështeten në një material që është, në thelb, kundër tyre. Përse nuk e citojnë, në asnjë rast, kontin Galeaco Çiano? Sepse konti, armik i Zogut dhe mik i Milan Stojadinoviçit, Presidentit të Këshillit Jugosllav, me vrer kundër monarkut tonë, nxjerr të vërtetën e qëndresës kundër Duçes, dhe atentatin që i përgatisin A. Zogut I, në prag të pushtimit të 7 prillit. Nëse Ahmet Zogu I ia ka shitur vendin e tij Italisë fashiste, përse duhej bërë mobilizimi i trupave ushtarake dhe përse duhej vrarë mbreti i shqiptarëve? Sipas diplomatit të traktatit Itali-Shqipëri të 1926-s, Aleksandër Lesonës, Zogu ia solli mendjen vërdallë Musolinit, që ky të merrte përsipër të ndërhynte ushtarakisht kundër komshinjve veriorë dhe atyre jugorë. Dhe jo me fjalë goje. Por me një deklaratë të fshehtë të firmosur nga ai, Duçja, si edhe nga kreu i shtetit shqiptar, nëse këta komshinj do të orvateshin për një agresion kundër vendit tonë dhe do ta vinin në jetë këtë mësymje. Klauzolat e tjera, për interesa të përbashkëta, le të ishin të hapura. Sipas Lesonës Zogu ishte një bashkëbisedues i vështirë, në ruajtje të interesave kombëtare. Pra, i prerë, kundër shteteve në Veri dhe në Jugë, shtete në të cilat ishin të diskriminuar dhe lëngonte një masë e madhe e njerëzve me entitet të pastër shqiptar. “Vetëm kur ishte fjala për këta njerëz, - thotë Lesona, - bashkëbiseduesi im ndjehesh i përmalluar dhe fliste  në mënyrë sentimentale”. Lesona ka sjellë në kujtimet e tij edhe atë frazën e famshme të përcjelljes së Zogut në kufirin drejt Shqipërisë, nga ana e kryeministrit jugosllav, Pashiçit: “Lamtumirë miku im i sotëm dhe armiku im i nesërm”. Falsifikatorët tanë të historisë kanë harruar faktin se jugosllavët i hapën vetëm kufirin Zogut, me miratim të Lidhjes së Kombeve të atëhershme, e cila e quajti revolucionar dhe të paligjshëm atë marrje të pushtetit me dhunë, që e mbajtën vetëm për gjashtë muaj. Më e rëndësishmja, Zogu e mori sërish fuqinë pa asnjë jugosllav dhe jo, siç mëtojnë antihistorianët tanë, me forca jugosllave. Sa për forcat e oficerëve dhe të ushtarakëve të ushtrisë së bardhë, që kishin ardhur në vendin tonë pas humbjes prej Ushtrisë së Kuqe, po. Ata e ndjenin veten të detyruar ndaj mirëpritjes në Shqipëri të këtyre forcave ushtarake antikomuniste.
***
Përpara zbulimit të statujës së mbretit Zog I, po bëja me mend disa llogari krahasuese: Sa vjeç ishte E.H.-a kur u mor me politikën aktive? 33 vjeç. Në një dhomë me Vedat Kokonën, kur jepnin mësim të dy në Liceun francez të Korçës, Vedati shkruan në kujtimet e tij  se asnjëherë Enveri nuk i kishte folur për politikë. Po Zogu? Sa gjysma e viteve të diktatorit të ardhshëm. S’ishte as 17 vjeç kur luftonte me matianët kundër serbëve shovenë, në Veri. Lesona i referon Duçes, se “ishte 25 vjeç kur na dëboi nga Vlora” (në 1920-n). Ndërkaq dy  qytetarë pranë nesh kthenin shpesh kokën prapa, si duket për të parë pjesëmarrjen. - Tani ata që na jepnin leksione se duhet të festojmë jo në mënyrë të bujshme, ka të ngjarë që të na propagandojnë se nuk ishin edhe aq shumë pjesëmarrës!–Po të donim të organizonim ftesat nëpër lagje, mbase nuk do t’i nxinte i gjithë bulevardi...- iu përgjigj tjetri.
Ndërkaq u zbulua monumenti. Zogu u paraqit i ri, frymëzues. Që në moshë të ré u bë protagonist në Kongresin e Lushnjes. E gjithë veprimtaria e tij është në shërbim të vendit. Ndërsa Enveri ia dhuroi ofiqin e Sekretarit I të K.Q. të PPSH-së, shokut Tito. Tradhti Kombëtare. E botuar në Revistën e Shoqatës së miqësisë e të bashkëpunimit me Jugosllavinë. Pastaj e hoqën nga qarkullimi! Komunistët mund të akuzohen si vandalë politikë. E hodhën në erë ngrehinën e varrit të Nënës Mbretëreshë. Zogu nuk bënte sakrilegje të tilla. Kur u vra Riza Cerova në përpjekje me forcat e rendit, prefekti i vajti për ngushëllim në shtëpi. Kur Ali Këlmendi e tepronte me propagandën e tij subversive, Prefekti e takonte, i binte shpatullave, dhe i thoshte: - Ik në Francë, Ali, se e mbushe kupën. Ma jep fjalën? Pinin edhe kafenë bashkë. Dhe të nesërmen Aliu ia mbathte jashtë shtetit. Në dhunim të kufijve për një jetesë më të mirë, Enveri të vriste aty për aty dhe të internonte familjen. Zogu i kishte kufijtë e hapur: Mund të vije në Itali edhe për një dhëmballë! Cili ishte mizor? Cili ishte tolerant? Çdo të bënte Enveri po të kapej ndonjë atentator, siç ishte Beqir Valteri? Zogu e la të lirë. Komunistët e vranë më vonë! (Sigurisht jo për të shpaguar Zogun, në zemërgjerësinë e tij!). Në kohën e Zogut kishte një mori gazetash të përditshme, që akuzonin edhe ministrat. Në kohën e Enverit mund të bëheshe gjysmë njeriu nëpër kampe përqendrimesh edhe për një vepër teatrore letrare (“Njollat e Murme”) të Minush Jeros. Një autor, si rasti që u tha, së shumti mund të akuzohet për naivitet, në mosnjohje të vijës. A mund të akuzohej politikisht dhe të burgosej e të internohej autori kur është e qartë se nuk bëhet një vepër me qëllim antiparti, kur ajo nuk është subversive dhe nuk shpërndahet ilegalisht? Për krahasim: Shkrimtarë si Qemal Stafa, i vëllai, Veliu (Platonicus), Shefqet Musarai, Dhimitër Shuteriqi, Aleks Çaçi, Andrea Varfi e të tjerë shkruanin lirisht edhe artikuj politikë (“Bota e Re”, për shembull), pa iu hyrë gjembi në këmbë. Ndaj veprimtarisë antikushtetuese, dënimet i bënin gjykatat. Zogu bënte vetëm amnistitë. Ndërsa Enveri ndërhynte edhe në mënyrën e vrasjes, pasi të torturohej, për njerëz që ishin krejtësisht të pafajshëm. E kemi fjalën për Llazar Fundon. Vedat Kokona e nderonte për kulturën e tij. E quan njeri me virtyte të admirueshme. Fan Noli në Amerikë, e ndjen veten të lënduar shpirtërisht, për këtë krim ndaj një njeriu që nga Ventotenia (si antifashist) përfundoi në bashkëpunëtor të Kryezinjve, në Kosovë, të cilët ishin kundër fashizmit e nazizmit. Muharrem Bajraktarit Enveri i thuri kurthe për ta vrarë, kur ai luftonte kundër gjermanëve! Patriotizmi i Zogut kërkohet të cenohet me ditarët e Çianos, ndërsa ata (ditarët) provojnë vetëm antishqiptarizmin e Çianos, por jo përkushtimin atdhetar të Zogut. Zogu i bëri ministra kundërshtarët e tij ( Mirash Ivanajin, për shembull) që e vrau E. Hoxha ndonëse erdhi vullnetarisht në Shqipëri, pas arratisjes në ‘39-n. Për hakmarrje se i preu bursën? Dr. Ibrahim Temo u bë ithtar i Zogut. Madje edhe Fan Noli, e çmoi, më së fundi, kur ishin të dy mërgimtarë. Ky është Pajtimi Kombëtar i monarkut shqiptar. Kurse ai antizogisti i mbrujtur me ideologjinë komuniste, Rexhep Qosja, e pamë se ç’pajtim skandaloz synoi të bënte, për interes të mëkatarëve shqiptarë, të cilëve deshi t’u vinte në ndihmë! Zogu i priti krahëhapur kosovarët që vinin në atdheun-amë. Kurse Enveri i priti armiqësisht kur arratiseshin për t’iu shmangur reprezaljeve të UDB-së serbe. Ata të shkretë thoshin se kishin rënë nga shiu në breshër. Le të lexohet libri “Namik Luci”. Që të mos zgjatemi më tej, përfundojmë se me krahasime të tilla mund të mbushnim një broshurë më vete.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›