E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjeorgjia, prag lufte me Rusinë

Dërgimi i trupave ruse në rajonin separatist të Gjeorgjisë, Abkhazi, ka bërë që perspektiva e luftës të jetë shumë e afërt, tha një ministër gjeorgjian të martën. Në anën tjetër, "ministri i Jashtëm" i republikës separatiste në Detin e Zi citohet të ketë thënë se Abkhazia ishte e gatshme të vihej nën kontrollin ushtarak të Rusisë. E një koment i tillë nuk mund të bëjë ndryshe përveçse të ngrejë akoma më shumë tensionet mes Moskës dhe Tbilisit. "Ne duhet të evitojmë luftën", tha Temur Iakobashvili, ministër shteti në Gjeorgji, para gazetarëve në Bruksel. I pyetur se sa pranë luftës ishte situata, ai u përgjigj: "Shumë pranë, sepse ne i njohim rusët shumë mirë". "Ne e dimë se çfarë sinjalesh lëshohen nga një propagandë e tillë kundër Gjeorgjisë. Ne i shohim trupat ruse të hyjnë në territoret tona mbi bazën e informacioneve të rreme", tha ai. Gjeorgjia, një trajektore jetësore tranziti në rajonin e Kaukazit, ka zemëruar Rusinë, me të cilën ndan një vijë të gjatë kufitare, pasi ka kërkuar anëtarësimin në NATO. Në samitin e prillit, aleanca perëndimore përcaktoi qartë se anëtarësimi i Gjeorgjisë do të ishte shumë i afërt. Rusia ka deklaruar në anën tjetër se dërgimi i trupave në Abkhazi është i domosdoshëm për t‘iu kundërvënë planeve të Gjeorgjisë për sulm mbi Abkhazinë, një tokë e argjendtë pranë Detit të Zi dhe ka akuzuar Tbilisin se po përpiqet të tërheqë edhe Perëndimin në një luftë, akuza këto që Gjeorgjia i hedh poshtë. Tensionet kanë ardhur gjithnjë e në rritje dhe janë përshkallëzuar pasi Gjeorgjia akuzoi Rusinë se kishte rrëzuar një nga avionët e saj pa pilot mbi Abkhazi, në prill, një akuzë që Rusia e kishte mohuar. Një kontingjent shtesë rus filloi të vendosej në Abkhazi javën e shkuar. Moska nuk ka thënë ndërkohë se sa trupa do të shtohen, por ka saktësuar se shifra totale do të qëndrojë brenda limitit prej 3 mijë ushtarësh, të lejuar nga një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe e firmosur në 1994-ën. Diplomatët presin që përforcimet të jenë rreth 1200. Ushtarët rusë veprojnë si paqeruajtës në zonat mes trupave gjeorgjiane dhe atyre vendase, por vendosja e kontrollit të plotë ushtarak të Kremlinit do të alarmonte si qeverinë gjeorgjiane, ashtu edhe aleatët e saj në Perëndim. "Ato 200 km distancë mes lumenjve Psou dhe Inguri i përkasin Abkhazisë. Ne jemi dakord që Rusia ta vendosë këtë territor nën kontrollin e saj ushtarak, tha Sergei Shamba, "ministër i Jashtëm" i Abkhazisë. "Në këmbim ne do të kërkojmë garanci për sigurinë tonë". Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë në anën tjetër se Moska nuk ka marrë një kërkesë zyrtare nga Abkhazia që ushtria e saj të vendosë kontrollin mbi rajon. Pas samitit të NATO-s, Moska lajmëroi planet e saj për të vendosur lidhje të rregullta me Abkhazinë dhe Osetinë Jugore, një tjetër rajon separatist brenda kufijve të Gjeorgjisë. NATO i ka kërkuar Rusisë të tërhiqet dhe është ankuar se vendosja e trupave shtesë në rajon do të shtonte tensionet. BE gjithashtu ka shfaqur shqetësim. Ministri gjeorgjian, Iakobashvili, tha ndërkohë se Gjeorgjia i kishte kërkuar BE-së të merrte një rol më aktiv në reduktimin e tensioneve, madje duke përfshirë edhe opsionin e pjesëmarrjes në patrullat e kontrollit kufitar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›