E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autoritetet: 22500 të vdekur. Qindra e mijëra të zhdukur

Autoritetet në Birmani vlerësojnë se afro 22500 vetë mund të kenë vdekur dhe shumë të tjerë nuk dihet se ku janë, tri ditë pasi vendi u godit nga cikloni. Ndërkohë që disa organizata të ndihmave në terren flasin për rreth 50 mijë viktima. Ministri i Jashtëm, Nyan Vin, bëri të ditur në televizionin shtetëror se 10 mijë vetë kanë vdekur vetëm në qytetin e Bogalay, 100 km në jug të Rangunit. Më herët, qeveria paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet më tej në deltën e lumit Irravaddy, që ka pasur peshën më të madhe të ciklonit Nagris. Por është vështirë të shkohet te zonat e prekura më rëndë, sipas James East të organizatës "World Vision". Ai thotë se miliona njerëz mund të kenë mbetur pa shtëpi nga cikloni. Banorët në Birmani janë të varfër, si rezultat i dekadave të sundimit nga regjimi ushtarak. Tani ata po përballen edhe me një tragjedi natyrore. Koordinatori i ndihmave humanitare të OKB-së, Chris Kaye, thotë se personat e prekur nga cikloni kanë nevojë urgjente për strehë dhe ujë të pastër. Ai tha se ka rrezik të shfaqen sëmundje nga ujërat e papastra. Ai tha se qeveria ushtarake e Birmanisë po tregonte hezitim për të lejuar ndihma nga ekipe të huaja që të shkonin në vend. Edhe SHBA i ka bërë thirrje Birmanisë të lerë mënjanë politikën dhe të pranojë ndihmë për viktimat e ciklonit. Bashkëshortja e Presidentit Bush, Laura, tha se SHBA ka caktuar 250 mijë dollarë ndihmë. Ajo tha se shuma mund të ofrohej nëse Birmania pranonte një ekip amerikan për të vlerësuar situatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›