Gjëra të thjeshta të natyrës
Christian Thanhäuser prezanton "Insekt", ekspozitë e përbashkët me studentë të grafikës në Tiranë. Puna e dorës dhe elementët e gjallë të natyrës, janë dy gjëra tek të cilat beson akoma artisti austriak, botues i librave me ilustrime sipas të njëjtës teknikë të para 500 viteve që përdorte Gutenbergu.
"Shqipëria ka qenë për ne tokë e ndaluar", - thotë Christian Thanhäuser. Shqiptarët do thoshin të njëjtën gjë për vendin e tij, Austrinë, dikur, para nëntëdhjetës. Por, pohimi i mësipërm nuk ka të bëjë dhe aq me nostalgjinë, se sa me qëndrimin "paradoksal" që Thanhäuser mban ndaj thelbit të gjërave.
Ai shkon në drejtim të kundërt me, fjala vjen, internetin, që vazhdon të quhet shpikje e kohës sonë, aq sa ishte shpikje për Evropën 5 shekuj e ca më para, pajisja mekanike që argjendari Johan Gutenberg nisi të përdorë dhe u bë një simbol i Rilindjes, duke përhapur nëpërmjet shtypshkrimit dijen dhe kulturën.
Grafist, ilustrues i librave të autorëve të ndryshëm nga bota, njëherësh botues, Thanhäuser mban gjallë, ka njëzet vjet, traditën e Gutenbergut.
Në "Thanhäuser Edition", ku përgatiten libra me shtyp të veçantë dhe të ilustruar, është përfshirë tashmë edhe autorja shqiptare Lindita Arapi. Ishte ajo që i hapi rrugën artistit austriak për në Shqipëri. Ja, tani ku e gjen mes studentëve të vitit të dytë dhe të tretë të grafikës, në Akademinë e Arteve.
Prej 20 prillit ai i ka udhëhequr këta studentë për projektin e quajtur "Insekt", me mbështetjen e pedagogëve Ardian Isufi, Ali Oseku, Petraq Papa dhe Ilir Kaso. Gjatë këtyre ditëve të rinjtë kanë punuar me mjetet e gdhendjes së drurit, me bojëra dhe letra speciale, letra grafikë origjinale japoneze, gjermane që Christian Thanhäuser ka sjellë me vete për këtë trajnim.
Sa dinë tani për përpunimin e teknikës së gdhendjes më dru (ksilografisë) dhe të teknikës së vjetër të shtypit të Gutenbergut, e tregon ekspozita "Insekt", e hapur mbrëmë në galerinë e Akademisë së Arteve, ku do të qëndrojë deri më 10 maj.
Janë 60 grafika të studentëve të realizuara gjatë dy javëve dhe një cikël grafikash të vetë Thanhäuser-it. Janë disa 20-vjeçare ku mund të shohësh "vizionin" e hershëm të grafistit për insektet, organizmat më të nyjëtuar mbi dhe, me forma përpikërisht të përkryera.
"Nuk është aspak punë e lehtë, por e mrekullueshme. Duhet të punosh me shumë kujdes dhe të jesh shumë i saktë. Edhe për studentët është shumë e rëndësishme që të shohin me kujdes tek "këto gjëra të thjeshta të natyrës", sepse aty gjen format, të cilat zgjojnë interes për një studim "teknik". Insektet janë edhe të bukura, si për shembull fluturat. Për mua bota e insekteve është një kontrast".
Që "punët e tij të dorës" e kanë origjinën tek kjo afërsi e artistit me "gjërat e thjeshta të natyrës", e tregon edhe cikli i peizazheve në teknikën e ksilografisë. Ai është lindur pranë Danubit dhe mendon se lumenjtë apo ujërat, kanë tokën e tyre, ashtu si toka ka pyjet e saj.
Tek këto peizazhe me lumenj, male, ura, maja të thikëta apo kodra të shtrira, të cilat para se të shtypeshin në këto letra janë gdhendur me dorë në dru, ndihet ndikimi që ka pasur nga surrealistët francezë. Deri në një farë mase, sepse më tej, pas tridhjetë vjet përvojë me këtë punë, Thanhäuser arrin të eksperimentojë me formën, gjithnjë duke përdorur teknikën e ksilografisë.
Një peizazh e jep në tre versione, me qëllim shpërbërjen e "substancës", e figurës, por edhe të ngjyrës, thënë ndryshe, nënshtrimin e tyre. "Ndonjëherë unë mundohem të bëj printime me shumë ngjyra, por më pas kthehem tek bardhe e zija, sepse është një thjeshtim i thelbit.
Por, në këtë mënyrë shkoj drejt thjeshtimit të formës. Është një teknikë që të detyron të zgjedhësh mes asaj që është e rëndësishme dhe e parëndësishme. Thjeshtimi është shumë i rëndësishëm për teknikën e gdhendjes në dru", - thotë Thanhäuser.
Kur e pyet pse njerëzit i pëlqejnë këto gjëra, ai thotë që, së pari, ngaqë është teknikë jo e zakonshme, janë të bëra me dorë. E gjithë bota është e mbushur plot me ngjyra, ndonjëherë e tejngopur nga ngjyrat. Kurse pjesë e barabartë e botës që ai krijon është bardhë e zija.
Të njëjtën teknikë ai përdor për ilustrimet e librave dhe prej njëzet vjetësh edhe për botimet e "Edition Thanhäuser", me qendër në Ottensheim, në Linz, vendi ku Thanhauser-i jeton.
Është një ndër të fundit në Austri që përdor këtë teknikë, këtë letër. Ka një koleksion të tërë në shtëpi, 5 ton material dhe një makinë jo elektrike, me të cilën mund të shtypë vetëm me dorë, njëlloj si 500 vjet më parë.
Ka botuar më shumë se 60 tituj të autorëve nga Shqipëria, Austria, Kroacia, Çekia, Anglia, Gjermania, Polonia, Portugalia, Rumania, Serbia, etj.
"Disa botime unë i bëj për kënaqësinë time, disa janë porosi nga shtëpi botuese, por asnjëherë nuk mund të thuash se mund bësh pará me këto lloj botimesh. Për një titull mund të shtyp 150 kopje librash të bërë me dorë, ndonjëherë edhe 500, kështu që merret me mend se nuk ia vlen t'u hysh llogarive".
Në këto kohë ai është duke bashkëpunuar me arkitektë londinezë "për një eksperiment", thotë ai, për dizenjimin e dhomave në teknikën e printimit në dru. "Edhe studentëve ua shpjegova se kjo është një mënyrë, një formë që mund të përdoret për dizenjimin e restoranteve, hoteleve, në postera gjithashtu."
Pra, mund të përdoret edhe në formë komerciale ky lloj arti? "Po, po. E sigurt", - shton Thanhäuser. Por personalisht i është dashur vërtet shumë kohë për të zbuluar edhe këto mundësi.
Ndërsa flasim për rrugët e tregut të handmade art-it, vëmë re se në morinë shumëformëshe të botës së insekteve që studentët e këtij grupi kanë realizuar, një vajzë paraqitet me një ide të vetën të përpunuar në teknikën e ksilografisë. Ka shtypur vargjet që Martin Camaj shkroi larg Shqipërisë, "Vendit tem".
Java e kinemasë kubane
Shoqata e miqësisë shqiptaro-kubane, në bashkëpunim me Akademinë e Filmit dhe të Multimedias "Marubi", paraqet nga sonte Javën e Kinemasë Kubane në Tiranë.
Do të projektohen katër filma: "Hello, Hemingway", i Fernando Perez, "Fresa y Chocolate", me regji të Tomas Gutierrez Alea dhe Juan Carlos Tabio, "El Benny" i regjisorit të ri Juan Luis Sanchez dhe "Suite Habana", sërish i regjisorit Fernando Perez; çdo ditë në orën 19.00, në kinemanë e "Marubi"-t.
Kjo është një mënyrë që Instituti Kuban i Arteve dhe Industrisë Kinematografike (ICAIC) ka menduar me rastin e 50-vjetorit të ICAIC-it dhe miqësisë mes dy popujve.