"Infosoft" tërhiqet nga operatori i katërt celular
Kompania njofton bashkëpunëtorët e saj se ka vendosur që të lërë aksionet që zotëronte në konsorciumin me 6 firma.
TIRANË- Kompania "INFOSOFT Systems", tërheq aksionet e saj nga konsorcioumi që vetëm disa ditë me parë iu dha licenca aq e kontestuar e operatorit të katërt të telefonisë së lëvizshme në Shqipëri.
Vendimi për largimin nga bashkëpunimi me kompanitë e tjera, është marrë pas një mbledhjeje që këshilli drejtues i kësaj shoqërie ka zhvilluar në orët e pasdites së djeshme.
Fakti konfirmohet edhe nga një letër që kjo kompani u ka dërguar bashkëpunëtorëve të saj të biznesit, në të cilën cilësohet se, shoqëria "Infosoft" e sheh të arsyeshme që të tërhiqet nga bashkëpunimi me konsorciumin për operatorin e katërt të telefonisë së lëvizshme dhe që është e prirur të vazhdojë marrëdhëniet e biznesit me ta.
I kontaktuar nga "Shekulli", vetë administratori i kësaj kompanie, Grigor Joti, nuk ka pranuar që të bëjë asnjë koment konkret për çështjen. Pas pyetjes konkrete të "Shekulli"-t, nëse kompania e administruar prej tij është tërhequr apo jo nga konsorciumi, ai u përgjigj: "Nuk jam i detyruar që të flas për këtë gjë".
Sipas marrëveshjes së nënshkruar midis gjashtë partnerëve që përfituan licencën e operatorit të katërt celular në vend, shoqëria "Infosoft Systems", e cila zotëron 12.5 për qind të totalit të aksioneve të këtij konsorciumi, do të siguronte ndërlidhjen prodhues të brendshëm dhe të jashtëm, për porositjen dhe blerjen e aparaturave të nevojshme për realizimin e këtij investimi.
"Infosoft Systems", merr përsipër të gjitha kontaktet me shoqëritë prodhuese dhe tregtare të vendit dhe të huaja, për porositjen dhe blerjen e të gjitha makinerive, pajisjeve hidroteknike dhe elektrike, si dhe negociata apo përfaqësimin e këtij grupimi, në hartimin e projektit të zbatimit dhe ndjekjen e procedurave deri në marrjen e lejes së ndërtimit", - citohet në aktin e marrëveshjes midis palëve. "Infosoft Systems" renditet e katërta sipas peshës së aksioneve që përbëjnë palët në këtë bashkëpunim.
Licenca për operatorin e katërt iu dha disa ditë më parë konsorciumit të kryesuar nga Post Telekomunkacioni i Kosovës, pa tender. Tenderi për këtë gjë dështoi dhe qeveria gjeti si zgjidhje miratimin e licencës së katërt nëpërmjet një projektligji.
Sipas relacionit shpjegues që shoqëronte projektligjin për dhënien e licencës së operatorit të katërt për telefoninë e lëvizshme, miratuar më pas në Kuvend, oferta e dhënë nga PTK-ja ishte shumë e vlefshme, por nuk mund të shpallej fituesi, pasi sipas procedurës së prokurimit publik, një tender është i suksesshëm kur numri i ofertave konkurruese të vlefshme është më shumë se numri i ofertave të dhëna. Procedura e dhënies së kësaj licence është kundërshtuar ashpër nga opozitarët, të cilët e kanë cilësuar atë në shkelje të procedurave ligjore në fuqi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Alketa Mukavelati, u shpreh se, që nga shpallja e tenderit deri në zhvillim të tij, është ndjekur një procedurë tepër korrekte, duke vendosur kushte të qarta dhe strikte për të mos lejuar asnjë shkelje.
"Në projektligj parashikohet se konsorciumi, aksionet kontrolluese të cilat i ka Post Telekomunikacioni i Kosovës, nuk i lejohet që të bëjë transferim aksionesh apo rishitje licence, deri sa të ketë mbuluar me rrjet 95 për qind të popullsisë",- tha ajo para deputetëve të mazhorancës, në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.
Tenderi për operatorin e katërt celular parashikohej të përfundonte që në muajin janar të këtij viti, por ai u shty për t'u zhvilluar më datë 20 shkurt 2009, i cili gjithashtu dështoi pa shpallur asnjë fitues.
Ofertat e dhëna gjatë zhvillimit të tenderit ishin vetëm ato të "Univers PG", me 5 milionë euro, e barabartë me shumën fillestare që MPPTT-ja kishte caktuar për nisjen e ofertave dhe konsorciumit të kryesuar nga PTK-ja, me 7.2 milionë.