Topi: Krimi guxon të godasë edhe një deputet
Presidenti i Republikës e ka cilësuar ngjarjen ekstremisht të rëndë
TIRANË- Një krim ekstremisht i rëndë ka qenë vrasja e deputetit të PS-së, Fatmir Xhini, për Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Gjatë një vizite që zhvilloi dje në mesditë në familjen e të ndjerit, Presidenti i Republikës u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të tij për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur.
Kreu i shtetit deklaroi dje se ngjarja është shumë e rëndë. Topi ka siguruar familjen e të ndjerit se shteti ka angazhuar të gjithë strukturat e specializuara për zbardhjen sa më të shpejtë të krimit, për kapjen e autorëve.
"Është një krim ekstremisht i rëndë. Jeta e çdo qytetari është e shenjtë, por kur krimi godet një deputet, do të thotë se ngjarja është edhe më e rëndë",- tha dje Topi. Kreu i shteti ka qenë ndër të parët përfaqësues të lartë të shtetit që reagoi pas vrasjes misterioze të deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Menjëherë pas lajmit tragjik, Presidenti i Republikës u dërgoi një telegram ngushëllimi familjarëve të deputetit Fatmir Xhindi.
Në telegramin e ngushëllimit, Topi theksonte se kjo ishte një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë, një akt kriminal i pashembullt, që duhej zbardhur pa humbur kohë, duke u dhënë autorëve përgjigjen e merituar. Ndërkohë, në mjediset e Pallatit të Kulturës të Roskovecit, ku u zhvilluan edhe homazhet për deputetin e vrarë, Fatmir Xhindi, Presidenti i Republikës përcolli nderimet përmes dy këshilltarëve të tij.
Pas përfundimit të homazheve, trupi i të ndjerit u transportua në varrezat e fshatit Kurjan, 7 km larg Roskovecit, ku u zhvillua edhe ceremonia mortore. Fshati Kurjan është fshati i lindjes i të ndjerit Xhindi, si dhe vendi ku ai shërbeu për katër vjet (1992-1996) si kryetar komune.