E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjergji i ankohet Krasniqit për pronën e Katedrales

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në një takim ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji.

Fillimisht, Gjergji e njoftoi Krasniqin për vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të Katedrales Katolike në Prishtinë, sipas të cilit për këtë lokacion prej 1,30 hektarë (ngastra kadastrale 7355) Kisha Katolike, si kompensim për shfrytëzimin e tij, ka dhënë 1.250.000,00 euro.

“Nga shuma e lartshënuar 850.000,00 euro janë paguar nga Kisha Katolike, kurse me mjetet tjera ka participuar Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë. Nga kjo del se Kisha Katolike e ka kompensuar parcelën në fjalë dhe është pronare e saj”, tha Gjergji.

Imzot Dodë Gjergji ngre shqetësimin se Komuna e Prishtinës nuk po e respekton vendimin e saj të datës 4.3.2003.
Ndërkaq, sa i përket punimeve për rregullimin e ambientit rreth katedrales, ai tha se ato po bëhen në kuadër të përgatitjeve për festën e 5 shtatorit , kur do të festohet 10 - vjetori i lumturimit të Nënë Terezës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pasi dëgjoi shqetësimet e ngritura theksoi se nëse nuk mund të zgjerohet hapësira siç është në kontratë, ajo nuk bën të ngushtohet.

Ndryshe, Qendrën tregtare, që ka nisur të ndërtohet përbri katedrales në lagjen ”Pejton”, është bërë konteste pronësore mes Komunës dhe Ipeshkvisë së Kosovës, lidhur me një hapësirë ku ishin lokalet e vjetra afariste në këtë lagje. Ipeshkvia pretendon se një pjesë ku kanë hyrë bagerët e kontraktonit të komunës, është tokë e tyre për të cilën e kanë paguar komunës dhe se për këtë ekziston vendimi. E, Komuna, thotë se ajo pjesë është e tyre. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›