E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermanët kërkojnë dorëheqjen e presidentit Wulff

Dy persona mbetën të lënduar në Berlin, gjatë një proteste në kërkim të dorëheqjes së presidentit, zhvilluar përpara pallatit presidencial.

Rreth 300 demonstrues me parulla kundër presidentit Christian Wulff u rreshtuan përpara godinës së përforcuar me agjentë të shumtë sigurie.

Një protestues dhe një polic patën nevojë të shoqëroheshin në spital, për shkak të plagëve të marra gjatë përleshjeve të ndodhura.

Presidenti i Gjermanisë, Christian Wulff, është vendosur në qendër të një skandali të abuzimit të detyrës, pasi e përditshmja më e madhe në vend, “Bild”, e ka akuzuar për procedura ilegale në marrjen e një kredie dhe kërcënim ndaj medies, kur mësoi se ajo kishte në dorë ngjarjen.

Në Gjermani, pushteti real është i përqendruar në duart e Kancelares dhe Bundestagut, por në kushtetutë parashikohet që Presidenti të jetë një figurë me “integritet të pacenueshëm moral”, si dhe simbol i bashkimit të kombit.

Wulff, një bashkëpunëtor i ngushtë i Angela Merkel, u zgjodh president i Gjermanisë në fund të vitit 2010. Në një deklaratë të dhënë më herët, ai hodhi poshtë të gjitha akuzat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›