Gjermanët vendosin sot me votë, Demokristanët të favorizuar, shqetësim rritja e ekstremit të djathtë

Gjermanët u janë drejtuar sot qendrave të votimit, pas një fushate intensive që është dominuar nga situata ekonomike e vendit dhe sulmet vdekjeprurëse që e kanë kthyer emigrimin në çështjen kryesore të sigurisë.
Friedrich Merz, lideri konservator konsiderohet figura që ka më së shumti gjasa për t’u bërë kancelar i Gjermanisë, përmes këtij procesi zgjedhor që po vëzhgohet nga afër në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Ai është zotuar për t’i zgjidhur shumicën e problemeve brenda katër vjetëve, sfidë e konsiderueshme për shtetin me ekonominë më të madhe në Evropë.
Nëse fitojnë Demokristianët e Merzit, ai do të duhet të krijojë koalicion me të paktën një parti, dhe më së shumti shanse ka me Socialdemokratët e Olaf Scholzit, qeveria e të cilit është shpërbërë në fund të vitit të kaluar.
Në rast të fitores, Merz e ka bërë të qartë se nuk do të krijojë koalicion me partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë e cila pritet të renditet si forca e dytë me madhe politike, duke e lënë mbrapa edhe partinë e qendrës së majtë të Scholzit.
Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 59.2 milionë gjermanë, ndonëse miliona prej tyre veçse kanë votuar me postë.
Sipas sondazheve, rreth 20 për qind e popullsisë është e pavendosur se për kë të votojë.
Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 18:00 dhe rezultatet e para priten në mbrëmje.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ketë rëndësi të madhe për Gjermaninë, pasi ky vend do të duhet të marrë vendime të rëndësishme me ndikim edhe në skenën botërore./vizionplus.tv