E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Këneta e bëri vendin lesh e li”, Rama: Në 2030-ën Shqipëria në Bashkimin Evropian

Marrëveshja e pensioneve me Greqinë mbetet me prioritet dhe me interes për emigrantët shqiptarë në shtetin fqinj. Kjo temë u diskutua në rubrikën “Sy m’Sy” të kryeministrit Edi Rama.

“Pensionet europiane nuk bëhen aq kollaj sa shkruhet një koment sepse po të jap një shembull konkret. Shumëkush thotë  “Dua pension europian në Shqipëri”, por sigurimet shoqërore i ka paguar të tëra këto vite në Greqi dhe nuk është e mundur nëse nuk mbyllim marrëveshjen e pensioneve me Greqinë siç e mbyllëm me Italinë apo me plot vende të tjera, që të mund t’i japim një pension siç e dëshiron këtu në Shqipëri, por ama, mos harro që kur erdhëm ne në detyrë, jo që nuk kishte fare nga këto marrëveshje, Shqipëria nuk kishte fytyrë që të ulej si e barabartë në tryezë më te tjerët”, tha Rama.

“Në këtë vend vijnë vërdallë për një dokument”. Shkruante një tjetër komentues.

“Në këtë vend është më kollaj se në Greqi, është më kollaj se në Itali për të marrë dokumentet sepse i merr nga aty ku je, me celular, pa luajtur vendit hiç, ndërsa për ndërtimet e bëra në pronën e të tjerëve apo dhe në tënden ke shumë të drejtë. Këtë e kemi peshqesh nga këneta jonë që e bëri Shqipërinë lesh e li, por dhe kjo hap pas hapi po vihet në vend dhe brenda kohës së negociatave me Bashkimin Europian do ta mbyllim dhe këtë plagë të madhe që e trashëguam nga këneta jonë dhe Shqipëria 2030 nuk do ta ketë më këtë problem”, tha Rama.

Prej disa kohësh kreu i qeverisë komunikon me qytetarët nëpërmjet një rubrike online të titulluar “Sy m’Sy”./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›