Gjermani, arrestohet pjesëtari i UÇK-së

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), Shkodran Idrizi është arrestuar nga policia gjermane, pas një fletëarresti ndërkombëtarë të lëshuar nga autoritetet e Shkupit. Shkodran Idrizi, 29 vjeç, është një nga të akuzuarit për rastin e keqtrajtimit të punëtorëve maqedonas të "Mavrovës" gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, për të cilin rast tashmë po zhvillohet procesi gjyqësor në gjykatat maqedonase. Idrizi u arrestua të enjten në mbrëmje nga policia gjermane në një qytet të Gjermanisë. Lidhur me arrestimin e tij ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) së UÇK-së, e cila i ka drejtuar një letër kancelares gjermane Angela Merkel, për mosekstradimin e tij në Maqedoni.