Gjermani, protesta kundër energjisë atomike

Në shumë vende të botës vijojnë të zhvillohen protesta kundër përdorimit të energjisë atomike. Kështu në mbyllje të marshimeve të Pashkëve, në të gjithë Gjermaninë kanë demonstruar më shumë se 100.000 njerëz kundër energjisë atomike dhe ndërhyrjes ushtarake. Organizatorët folën për 120.000 pjesëmarrës në protestat e zhvilluara në 12 qytetet, ku ndodhen centralet bërthamorë. Një nga demonstratat më të mëdha u zhvillua në centralin e energjisë bërthamore Grohnde në Hameln të landit të Saksonisë së Poshtme. Shumë demonstrues përkujtuan me një minutë heshtje viktimat e katastrofës në Fukushima para gjashtë javësh dhe viktimat që humbën jetën 25 vjet më parë në Çernobil. Në 12 urat mbi lumin Rin mes Konstancës dhe Strasburgut sipas organizatorëve, u bllokua trafiku për gjysëm ore për rreth 20.000 gjermanë, francezë dhe zvicerianë. Në rreth 80 marshime të Pashkëve, që u zhvilluan qysh prej të premtes, pjesëmarrësit kërkuan një fund të luftës në Afganistan dhe të eksportimit të armëve në gjithë botën. Në 25 vjetorin e Cernobilit, një këngëtar taivanez ka zgjedhur një mënyrë të ndryshme për të protestuar kundër energjisë nukleare duke u zhveshur në qendër të Taipeit. Së bashku me disa aktivistë të tjerë, këngëtarja Mina Lee protestuan dhe mbanin në duar parulla ku shkruhej “ më mirë të zhveshur se sa me energji nukleare”. Edhe në Japoni, mijëra njerëz protestuan në Tokio kundër kësaj lloj energjie, duke përkujtuar edhe një herë tragjedinë e Cernobilit.