OKB:Sri Lanka ka kryer krime lufte kundër tamilëve

Hetimi i Kombeve të Bashkuara ka gjetur "prova të besueshme" se qeveria e Sri Lankës dhe Tigrat tamilë kanë kryer krime lufte në ditët e fundit të luftimeve kundër kryengritësve separatistë.
Raporti fajëson qeverinë për vrasjen e "dhjetëra mijëra" civilëve në muajt e fundit të luftimeve.
Kreu i OKB-së Ban Ki Mun kërkoi në vitin 2009 hetime pas fundit të luftës së gjatë mes forcave qeveritare të Sri Lankës dhe tigrave tamilë. Lufta përfundoi me humbjen e tamilëve.
Qeveria e Sri Lankës kishte kërkuar nga OKB-ja ta shtynte publikimin e raportit, pasi mund të pengoheshin përpjekjet për pajtim.