“Gjermania e Shqipëria, dy ekonomitë më stabël në Europë”
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje vlerësimin e bërë nga INSEAD, shkolla e biznesit të botës, që e rendit ekonominë shqiptare një ndër dy ekonomitë më të qëndrueshme në Europë. Duke e konsideruar këtë një lajm shumë pozitiv për vendin, Kryeministri tha se ky vlerësim mbështetet në suksesin e modelit ekonomik të vendit. “E para është gjithnjë ekonomia dhe politika më e mirë është ajo që vendos ekonominë të parën, sepse ai është edhe interesi më jetik i qytetarëve. Një lajm tjetër shumë pozitiv vjen për ekonominë shqiptare. Sipas INSEAD, shkolla e biznesit të botës, dy janë ekonomitë më stabël, në Europë. Nga ekonomitë e mëdha, është ekonomia kryesore e Europës, ajo gjermane. Ndër ekonomitë e vogla është ekonomia shqiptare. Ky është vlerësimi që i bën shkolla e biznesit të botës ekonomive në Europë”, u shpreh Kryeministri. Në vlerësimin e tij modeli ynë ekonomik është modeli ynë i suksesit. Vështirësia është te gjyzlykët, vijoi ai, sepse ka njerëz që të duket sikur kanë lindur me syze të errëta, nuk i heqin kurrë. “Nëse ekonomia shqiptare nuk do të rritej, por do të binte, nëse kjo ekonomi nuk do të kishte rritje, por recesion, nëse qeveria shqiptare do të detyrohej për shkak të recesionit të rriste taksat, të ulte pensionet apo t’i ngrinte ato, do të detyrohej të mos rriste rrogat, cila do të ishte gjendja psikologjike e këtyre kollagjerëve?”, shtroi pyetjen retorike Berisha. Sipas tij, ata do të gëzoheshin dhe natyrisht, do të këndonin të njëjtën melodi. “Por, në një kohë kur të gjitha agjencitë e thiktank-et e botës, përfshi edhe ato të vlerësimit Moodys apo Standard & Poors, që bëjnë fjalë për tendenca qartësisht pozitive në ekonominë shqiptare, qëndrimi dhe nihilizmi ndaj këtij modeli ka absolutisht botëkuptimin e vjetër në themel të tij, papajtueshmërinë me tregun e lirë dhe vlerat e tij”, ngulmoi Berisha. Shefi i mazhorancës nënvizoi faktin se, sipas tij, sulmohen koncesionet, privatizimet, partneriteti publik-privat, pra, sulmohen pikërisht mekanizmat ndër më kryesorë që bënë që ekonomia shqiptare të mos bjerë në recesion, që kjo ekonomi të shënojë rritje çdo vit, që bëri të mundur që qeveria shqiptare të renditet ndër vendet që investon më shumë në planet. “Por nga vjen ky nihilizëm e negativizëm? Vjen tërësisht nga mentaliteti totalitar, i cili nuk mund të pranojë tregun dhe lirinë e tij, por do kontrollin, do dorën e shtetit në çdo gjë. Nuk është shteti, ai që ndërton, është individi, ai që ndërton”, ngulmoi Berisha. Në këndvështrimin e tij shteti mund të bëjë disa punë publike, por po të krahasohet ndërtimi që bën shteti me ndërtimin që bën individi, të krahasohet buxheti i shtetit me buxhetin e individëve dhe sipërmarrjeve, ata janë njëlloj si liliputi me gjigantin.