Berisha: Jo paketë karrigesh! Kushtetuta nuk është statut partie
Mazhoranca nuk është e gatshme të pranojë propozimin e opozitës për ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha sulmoi opozitën se po kërkon një paketë karrigesh, ndërsa kujtoi se Kushtetuta nuk është një statut partie. Berisha shfrytëzoi disa statistika të numrit të shqiptarëve që kanë përfituar nga lëvizja pa viza, për të lëshuar kritikën e parë ndaj Partisë Socialiste. “Në gjashtë muaj, mbi 2 milionë shqiptarë kanë dalë nga vendi i tyre, për qëllime nga më të ndryshmet. Janë 347 mijë qytetarë më shumë, sesa para heqjes së vizave dhe këta 347 mijë nuk janë borgjezia e re, por janë populli i thjeshtë, janë zemrat e përcëlluara nga dhimbja e malli për të takuar njerëzit e tyre”, theksoi Berisha. Duke insistuar në faktin se shqiptarët kanë përfituar shumë nga heqja e vizave, Kryeministri tha se ne u bëmë i vetmi vend në Europë në të cilin opozita që lëvizte vetë me pasaporta diplomatike u ngrit kundër heqjes së tyre, zhvilloi të gjitha llojet e fushatave për të bllokuar heqjen e vizave për shqiptarët. Është e thjeshtë, u shpreh Berisha, të shprehësh pendesë se ndryshove nenin për të zgjedhur këtë apo atë krye të institucionit, paçka se i ke sjellë në standardet më optimale europiane dhe të mos shprehësh pendesë se u përpoqe të pengosh çdo qytetar, nënë, baba, motër, vëlla, bashkëshorte e bashkëshort të këtij vendi për të takuar njerëzit e tyre më të dashur, se bëre gjithçka për të mbajtur murin e Shengenit ndaj rinisë shqiptare. “Pendesa duhet të fillojë nga kjo. Ndjesa duhet të fillojë nga kjo. Falja duhet të fillojë nga kjo dhe jo nga karrigia e këtij apo atij. Atëherë bëhesh i besueshëm, sepse tregon se ke dhembshuri e respekt për tjetrin, tregon se një gabim të rëndë që bëre di ta korrigjosh, por jo të kërkosh paketë karrigesh e të mendosh se Kushtetuta është statut partie”, deklaroi Berisha. Ai këmbënguli në arsyetimin e tij se do ishte në dinjitetin e atyre që bënë gjithçka për t’i penguar që t’u dërgonin një letër ndjese shqiptarëve apo të bënin një ndjesë publike. Qytetarët, insistoi Berisha, nuk kanë asnjë preokupim se zgjidhet Presidenti me 5/6 apo 7/5. “Qytetarët kanë preokupim që rregulli të ecë sipas Kushtetutës, preokupimi i tyre kryesor është rroga, pensioni, rruga, preokupimi më madhor është viza. Garantoj qytetarët se ne do të vazhdojmë t’i mbajmë ata në epiqendër, në piedestal të të gjitha përpjekjeve tona”, premtoi Berisha. Kjo deklaratë është në vazhdën e qëndrimeve të deritanishme të eksponentëve të mazhorancës ndaj propozimeve që janë artikuluar prej partive opozitare. Më herët, edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, partia e dytë në qeverisje, shigjetoi Ramën se nuk mund të shfajësohej nga ndërhyrja në Kushtetutë në 21 prillin e vitit 2008, vetëm duke kërkuar një tjetër ndryshim. Deklaratat e Berishës dhe Metës, si dy forca kryesore në qeverisje, lënë të kuptohet qartë se numrat e mazhorancës në Parlament dhe as vullneti i saj politik nuk do të ofrohen për ndonjë marrëveshje lidhur me ndërhyrje në dokumentin themeltar të shtetit. D.M.