E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Presidente? Herët të flasim

Teksa deklaroi zyrtarisht votën e saj kundër rikandidimit të Bamir Topit për një tjetër mandat në zyrën e kreut të shtetit, kryeparlamentarja Jozefina Topalli iu përgjigj edhe interesimit të medias për emrin e saj. E pyetur pak ditë më parë në një emision televiziv, Topalli tha se Presidenti do të zgjidhet mbi bazën e Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Sipas saj, nuk ka pazare dhe mazhoranca nuk do të lejojë që të bëhen pazare. “Kushtetuta dhe shteti i së drejtës janë më shumë se libra të shenjtë. Atë që thotë Kushtetuta dhe unë i besoj te vota dhe do vendosë vota”, tha Topalli. E pyetur nëse ajo synonte apo jo mandatin e kreut të shtetit në vitin 2012, Topalli u përgjigj se “unë jam kryetare e Kuvendit dhe jam në axhendën time, në detyrën time, në përgjegjësinë time, që është shumë e rëndësishme dhe që unë ndihem shumë e privilegjuar. Është shumë herët të flasësh për këto gjëra. Jemi një vit përpara dhe unë s’e mendoj fare”. Teksa u pyet nëse do të rivotohet kandidatura e mundshme e Topit për një tjetër mandat, ajo tha se “më bëni pyetje tjetër ju lutem... Nuk besoj se do të jetë Topi. Sigurisht që unë nuk do ta votoj Topin. Kjo është e sigurt, por besoj se e kam sqaruar disa herë dhe është e tepërt ta diskutoj”. Me këtë formë përgjigjeje Topalli e ka lënë të hapur mundësinë që të jetë në tavolinë si një kandidaturë e mundshme e propozuar dhe mbështetur nga mazhoranca në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›