E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania “kërcënon” Greqinë: S`ka ndihma, pa plotësim kushtesh

Gjermania do të ndalojë të gjitha ndihmat për Greqinë, nëse kjo e fundit nuk i përmbush kushtet nën të cilat ka marrë paketën për shpëtimin e ekonomisë, kanë thënë zyrtarë të bllokut konservator të kancelares Angela Merkel.

Zëvendësshefi i grupi parlamentar të këtij blloku, Miahel Fuks, ka thënë për gazetën “Handesblatt” se Berlini është i gatshëm të përdorë veton nëse nuk është i kënaqur me raportin që do të paraqesë trojka kreditore për Greqinë.

“Edhe po qe se gota është gjysmëplot, nuk është e mjaftueshme për paketën e re të ndihmës”, ka thënë Fuks.

Greqia ka marrë dy paketa ndihmash nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në vlerë prej më shumë se 240 miliardë eurosh.

Inspektorët e BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane, që ndryshe njihen si trojka, aktualisht ndodhen në Athinë për të vlerësuar përparimin e Qeverisë greke në realizimin e reformave dhe arritjen e qëllimeve ekonomike.

Greqia duhet të zbatojë një sërë masash të ashpra kursimi për të siguruar ndihmën ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, për të shmangur daljen eventuale nga Eurozona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›