E Enjte, 5 Nëntor 2026

Gjermania ‘kthen sytë’ nga termocentralet me qymyr, shton përpjekjet për të kufizuar furnizimin me gazin rus

Gjermania ‘kthen sytë’ nga termocentralet me qymyr në përpjekje për të reduktuar varësinë e saj ndaj gazit rus. Ky hap, sipas Gjermanisë, do të ofrojë stimujt për kompanitë për të frenuar konsumin e gazit natyror ku furnizimi kryesor bëhej nga Rusia.

Këto masa po merren në kuadër të sigurimit të rezervave për vendin për të kaluar dimrin, ndërsa  Rusia ka ndërprerë furnizimin me gaz për Europën si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të vendosura ndaj saj.

Ndërprerja graduale e furnizimit me gaz nga Rusia ka sjellë mungesë të furnizimit të Europës, ndërsa ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të çmimit të gazit. Nord Stream, kanali kryesor për karburantin rus në Evropë , ka raportuar rënie në furnizimet me gaz.

“Është padyshim strategjia e Putinit për të na tronditur, për të rritur çmimet dhe për të na ndarë. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha Robert Habeck, ministër i Ekonomisë i Gjermanisë.

Habeck tha se qeveria do të fuqizojë kompanitë e shërbimeve për të zgjeruar përdorimin e termocentraleve me qymyr. Kjo do të siguronte që Gjermania të ketë një burim alternativ energjie, por kjo do të ndikonte në emetimet e karbonit në atmosferë.

“Nuk është zgjedhja e duhur për t’u mbështetur te qymyri për energjinë për shkak të ndryshimeve klimatike, por në këtë situatë është e nevojshme të reduktohet konsumi i gazit”, tha ministri gjerman.

Gjermania importon rreth 35% të gazit të saj natyror nga Rusia dhe e përdor pjesën më të madhe të tij për ngrohje dhe prodhim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›