Gjermania nis ndërtimin e terminaleve të gazit natyror të lëngshëm

Në përpjekje për tu bërë një vend i pavarur nga gazi rus në vazhdën e luftës së vazhdueshme të Kremlinit në Ukrainë, Gjermania ka nisur punimet e ndërtimit të terminaleve e saj të parë lundrues për gazin natyror të lëngshëm (LNG) në Wilhelmshaven, një qytet dhe port i vendosur në Saksoninë e Poshtme, raporton CNN.
“Ne kemi një shans të mirë për të bërë atë që në të vërtetë është normalisht e pamundur në Gjermani: Të ndërtojmë një terminal LNG brenda rreth 10 muajsh dhe ta lidhim atë me furnizimin me gaz gjerman,” tha Zëvendës Kancelari dhe Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë Robert Habeck gjatë vizitës të punimeve të ndërtimit për terminalin LNG.
Habeck muajin e kaluar bëri thirrje për masa të paprecedentë për të reduktuar varësinë e Gjermanisë nga gazi rus dhe për të kundërshtuar atë që disa politikanë gjermanë e quajnë “shantazh energjetik” të Kremlinit. Ai shtoi se pavarësia nga furnizimet me energji ruse është parësore për Gjermaninë.
Gjermania ka qenë nën presion nga Ukraina dhe vende të tjera në Evropë për të bërë përparim në heqjen e furnizimeve ruse të energjisë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.
/rtsh.al/