Gjermania, paraqet projektligjin për pranimin e Shqipërisë në NATO

Qeveria Gjermane i ka paraqitur të enjten parlamentit projektligjin për ratifikimin e protokollit të pranimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Projektligji i referohet vendimit të samitit të NATO-s në prill të këtij viti në Bukuresht, ku Shqipëria dhe Kroacia morën ftesë për bisedat e anëtarësimit. Në seancën e së enjtes projektligji iu dorëzua për konsultime komisioneve përkatëse pa debat plenar. Sipas qeverisë gjermane, dy vendet ballkanike kanë bërë përparime shumë të rëndësishme, thuhet në një deklaratë për media të lëshuar nga Bundestag-u. Disa nga këto përparime janë mënjanimi i konflikteve të jashtme dhe të brendshme, forcimi i të drejtave të njeriut dhe i kontrollit demokratik mbi forcat ushtarake. Qeveria gjermane konstaton më tej, se presioni i reformave po tregon efekte pozitive. Aleatët edhe qeveria gjermane janë të bindur se hapja e dyerve të NATO-s për anëtarët e rinj, sidomos pranimi i shteteve në fjalë, do të luajë një rol thelbësor në forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë në hapësirën euro-atlantike. Në deklaratë gjithashtu thuhet, se Gjermania i ka përkrahur këto vende që në fillim si politikisht ashtu edhe me ndihma materiale e konsulta, dhe shprehet vullneti për ta vazhduar këtë ndihmë edhe në të ardhmen.