Gjermania shpërfill kërcënimet e Putin për pagesën e gazit në rubla: Do paguhet vetëm në euro, ose dollarë

Pavarësisht kërcënimeve të presidentit Putin, që vendet perëndimore do të duhet të paguajnë gazin vetëm me rubla, ndryshe nuk do t’u jepet gaz, kancelari gjerman Olaf Scholz, tha sot se vendet perëndimore do të vazhdojnë të paguajnë për gazin rus në euro ose dollarë.
“Ne shikuam kontratat për dërgesat e gazit,” u tha Scholz gazetarëve në Berlin.
“Ato thonë se pagesat bëhen në euro, ndonjëherë në dollar. Unë e bëra të qartë në bisedën time me presidentin rus se kështu do të mbetet”, tha ai, duke iu referuar një bisede telefonike me Vladimir Putin të mërkurën.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 31 mars se ka nënshkruar një dekret ku thuhet se blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus nga 1 prilli dhe kontratat do të ndërpriten nëse këto pagesa nuk do të kryhen.
“Për të blerë gazin natyror rus, ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Nga këto llogari do të bëhen pagesat për gazin e dorëzuar duke filluar nga nesër,” tha Putin në një deklaratë televizive.