E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjigandët zbresin në fushë, sonte luhet Brazil-Itali

Londër - Gjigandët e futbollit botëror do të zbresin sonte në tapetin e “Emirates Stadium” për të luajtur ndeshjen Brazil-Itali. Miqësorja e Londrës do të vendosë për të 12-tën herë përballë njëra-tjetrës dy skuadrat përfaqësuese më gjigande të rruzullit. Brazili është 5 herë kampion bote, ndërsa Italia e ka fituar 4 herë.

Këto dy përfaqësuese kanë një bilanc të barabartë me njëra-tjetrën. Secili ekip ka fituar nga 5 herë, dhe një përballje është ndarë në barazim. Për ironi, edhe golat janë të barabartë, secili ekip ka shënuar nga 19 gola.

“Nuk është një show, por një ndeshje e vërtetë. Kjo është një sfidë reale futbolli, ku e gjithe bota është e interesuar ta shohë për shumë arsye”, ka bërë të ditur trajneri kampion bote, Marçelo Lipi.

Ndërsa trajneri i Brazilit, Karlos Dunga, shprehet: “Brazili dhe Italia janë dy nga skuadrat që kanë shkruar historinë e futbollit botëror. Për këtë arsye, megjithëse është një ndeshje miqësore, kjo sfidë dhuron gjithmonë emocione të veçanta”

Ndeshja do të zhvillohet në “Emirates Stadium” të Londrës në orën 20:45. Në territorin e Republikës së Shqipërisë do të transmetohet nga paketa “Super Sport”. Më poshtë do të paraqesim formacionet paraprake të trajnerëve Dunga dhe Lipi.

Brazil-Itali (ora 20:45)

BRAZILI (4-3-1-2): Hulio Sezar; Maikon, Lusio, Huan, Marçelo; Hoze, Xhilberto Silva, Elano; Ronaldinjo; Adriano, Robinjo.

Trajner: Dunga

ITALIA (4-2-3-1): Bufon; Zambrota, Legrotalje, Kanavaro, Groso; De Rosi, Pirlo; Kamoranezi, Perrota, Di Natale; Toni.

Trajner: Lipi

Gjyqtar: Rili (Angli)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›