E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjika para këshilltarëve: Qyteti po rrezikon festat

Bulevardi Vlorë-Skelë është një ndër investimet më të rëndësishme aktualisht në qytetin e Vlorës, që përfshin zonën e mbetur nga Sheshi i Flamurit deri në zonën e Fabrikës së Orizit. Qytetarët janë përballur me pluhurin gjatë ditëve të nxehta dhe tashmë me gropat, ndërsa premtohet se do të mbyllen punimet deri më 28 Nëntor.

Kryebashkiaku në interpelancë: S’kemi më para, shpresë te privatët.

Kryebashkiaku i Vlorës paralajmëron se Festat e Nëntorit mund ta gjejnë qytetin me investime të papërfunduara.  Shpëtim Gjika, i thirrur në një interpelancë në Këshillin Bashkiak nga anëtarët e djathtë, ka hedhur akuza mbi qeverinë se nuk ka dhënë fonde. “Bashkia i hodhi aq lekë sa kishte. Qeveria nuk po jep për t’i përfunduar dhe rrezikohet që mos të mbyllen punimet për investimet në infrastrukturë. Firmat që po kryejnë investimet duan paratë, por nuk kemi më”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Vlorës. E vetmja shpresë, sipas tij, mbetet te fjala e dhënë nga firmat private për t’i mbuluar vetë shpenzimet që gjithçka të jetë gati për 28 Nëntor. Këshilltarët e djathtë e kanë akuzuar nga ana e tyre vetë Gjikën se i ka pasur paratë e mjaftueshme për të përfunduar punimet në projekte, por që “vetëm ai e di se ku i ka çuar”. Mbledhja e djeshme nisi me një përplasje mes këshilltarëve, pasi të majtët deklaruan se kishin thirrur në seancë prefektin Eduard Velçani për të sqaruar me shifra se çfarë fondesh ka dhënë qeveria për Vlorën me rastin e 100-vjetorit. Nga ana e tyre, të djathtët reaguan menjëherë duke thënë se mbledhja e djeshme kishte qëllim që kryetari i Bashkisë të jepte shpjegime se ç’po ndodh me përgatitjet për këtë festë, përfundimin e punimeve, vendosjen e dekoreve, pastrimin e qytetit, ndriçimin e masa të tjera. “Bashkia ka përcaktuar që në buxhetin e saj, nga të ardhurat e saj, shumën prej 430 milionë lekësh për festimet e 100-vjetorit, ndërsa qeveria vetëm 2 javë më parë ka dhënë 39 milionë lekë. Berisha na gënjeu kur tha se do të anashkalonte borxhin për Ujësjellësin deri pas festave, por tani ka bllokuan grantin”, akuzoi Gjika, duke deklaruar se gjithë kjo përplasje e nisur prej muajsh është politike.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›