E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshenti, shantazh sportistes për para

TIRANE – Një 18-vjeçar është arrestuar dje nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se i ka bërë shantazh dhe i ka vendosur gjobë një vajze 13-vjeçare, të cilën e kishte njohur në Facebook. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se është vënë në pranga Fabion Ismailaj, banues në Tropojë, i cili ishte kallëzuar nga babai i vajzës, e cila është sportiste, angazhohet me të rinjtë e Atletikës. Pasi i ka zhvatur fillimisht 60 mijë lekë të rinj, duke ia kërkuar në formën e një borxhi që nuk ia ka kthyer asnjëherë, adoleshenti ka filluar t’i bëjë shantazh, madje edhe ta kërcënojë vajzën e mitur, duke i thënë se do ta mbante peng dhe s’do e lejonte të shkonte në stërvitje, në rast se nuk do i jepte para. Burimet thanë se Ismailaj e kishte njohur 13-vjeçaren nga një kërkesë miqësie në rrjetin social “Facebook” dhe pasi kishin komunikuar nëpërmjet mesazheve në internet, kishin shkëmbyer numrat e telefonit. Ata takoheshin shumë rrallë, pasi autori jetonte në Tropojë, ndërsa vajza në afërsi të Qytetit Studenti, në Tiranë. Por sipas Policisë, 18-vjeçari sa herë që vinte në Tiranë për ta takuar, i kërkonte para, pasi kishte konstatuar se atletja 13-vjeçare ishte në gjendje të mirë ekonomike. Duke i bërë presion se do i tregonte familjes së saj për lidhjen, përveç shumës së parë prej 60 mijë lekësh, Ismailaj i kishte marrë edhe 10 mijë lekë 13-vjeçares nëpërmjet kërcënimeve me telefon, ndërsa kësaj radhe kërkonte edhe 60 mijë lekë të tjera. Por vajza e kishte ngritur këtë shqetësim në familje dhe bashkë me babanë ka bërë një kallëzim dy ditë më parë në Komisariatin Nr.1. Pasi është rënë dakord me babanë e vajzës, Policia ka lejuar që e mitura të bënte pagesën pranë Shkollës së Baletit, ku edhe ka ndërhyrë dje, duke kryer arrestimin në flagrancë të adoleshentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›