E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiknuri: Kërkesat tona për Kolegjin

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, sqaroi dje disa prej pikave ku bazohet ankimimi i dytë që u depozitua në Kolegjin Zgjedhor. Sipas tij, thelbi është kërkesa për rrëzimin e vendimit numër 711 të KQZ-së. “Pretendimet kryesore të këtij ankimimi kanë të bëjnë me disa elemente. Jemi në pozitë të vështirë, sepse Kolegji ende nuk e ka zbardhur vendimin e tij. Gjithsesi kemi insistuar në disa elemente të procedurës, përsa i përket nenit 123 të nxjerrjes së tabelës, kemi argumentuar shkeljet e karakterit, madje edhe kushtetues që ka kryer KQZ-ja, duke mos respektuar një proces të rregullt ligjor, duke shkelur rëndë parimet e autonomisë së vendimmarrjes së komisioneve të të gjitha niveleve”, u shpreh Gjiknuri. Socialistët do t’i mëshojnë sërish kundërshtimit të faktit se votat e hedhura në kutitë e gabuara, u numëruan në KQZ, duke iu shtuar rezultatit final pas numërimit të kutisë së fundit. “Ne argumentojmë se këto fletë të janë të pavlefshme, pasi janë gjetur në kuti tjetër. Dhe kemi argumente të shumta për këtë, jo vetëm nga praktika shqiptare, por edhe nga dispozita dhe Kodi Zgjedhor. Nëse do të pranonim parimin që KQZ ka vepruar drejt në selektimin e një pjesë të kutive dhe përfshirjen e tyre në rezultat, jemi përpara edhe një tjetër parimi të shkelur, që është barazia e votës. Ka një grup tjetër qytetarësh që e kanë hedhur votën në kutinë e gabuar, por vota e tyre nuk është vlerësuar. Nëse do t’i qëndrojmë parimit të vlerësimit, këto vota duhet të vlerësoheshin tërësisht”, argumentoi Gjiknuri në intervistën për “Top Channel”. Një element tjetër i rëndësishëm në ankimim, shtoi ai, është edhe mënyra hetimit administrativ të KQZ-së, i cili sipas Partisë Socialiste ka qenë i pjesshëm, duke prodhuar shumë mangësi. “Vetë hetimi administrativ i KQZ-së ka mangësi, sepse ka konkluduar që kanë gjetur rreth 395 fletë më shumë, se sa vullnete të shprehura, sipas listës. Ky është një tjetër problem serioz. Të gjitha këto cenojnë vendimin për miratimin e tabelës përfundimtare. Ne kemi argumente të detajuara për t’i paraqitur në seancë, pavarësisht nëse ata janë të gatshëm për t’i dëgjuar, apo gjykata do t’i marrë parasysh”, tha Gjiknuri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›