E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet shorti, 5 gjyqtarët që do të japin verdiktin për Tiranën

Kërkesa e fundit e Partisë Socialiste për rezultatin e Bashkisë Tiranë do të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor ditën e hënë në datën 13 qershor. Një ditë pas depozitimit në Gjykatën e Apelit, është hedhur dhe shorti dhe është caktuar data se kur do shqyrtohet kërkesë-padia e re e socialistëve, me anë të cilit goditet vendimmarrja e KQZ-së për të mos marrë parasysh pretendimet e PS-së lidhur me pavlefshmërinë e tabelës së rezultateve për Bashkinë Tiranë. Kështu, të hënën, seancën do ta drejtojë gjyqtarja Dhurata Haveri, e cila do të jetë në rolin edhe të relatores së çështjes.

Shorti

Të hënën e ardhshme pritet të bëhet dhe certifikimi final i fituesit të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Kjo gjithmonë nëse Kolegji Zgjedhor do të vendosë sërish për rrëzimin e kërkesës së fundit të paraqitur nga socialistët dhe me anë të cilit kërkohet “kundërshtimi si të paligjshme të pikave 2 e 3 të Vendimit Nr. 827, datë

02.06.2011 të KQZ, që ka vendosur rrëzimin e kërkesës ankimore nr.161 dhe 162, lidhur me vendimet nr. 710 dhe nr. 711 datë 23/05/2011 të KQZ, si dhe të të gjithë vendimeve të marra nga KQZ për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar për kryetarin e Bashkisë Tiranë, si vendime në kundërshtim flagrant me ligjin, duke rivendosur në vend të drejtën e cenuar”. Kolegji Zgjedhor i mbledhur dje ka kryer veprimet paraprake të administrimit të kërkesë-padisë së socialistëve, duke përcaktuar fillimisht të hënën e ardhshme si ditën e shqyrtimit të saj. Më pas në prani të të gjithë gjyqtarëve që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor është hedhur shorti i përcaktimit të pesëshes që do të vendosë dhe fatet e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës. Trupa e re gjyqtarëve, në ndryshim nga ajo që shqyrtoi kërkesën e javës së shkuar të socialistëve për vendimin 709, ka pësuar një ndryshim në më shumë se gjysmën e saj. Kështu, nga trupa që gjykoi kërkesën e shkuar, do të jenë vetëm gjyqtarët Sashenka Jonuzaj dhe Astrit Kalaja, ndërkohë që tre të tjerët do të jenë të rinj. Bëhet fjalë për Dhurata Haverin, Marie Qirjazin, dhe Meriban Mullajin, që plotësojnë trupën gjykuese të kësaj kërkese. Megjithëse bëhet fjalë për një procedurë rutinë dhe përzgjedhje të rastësishme, përbërja e trupës gjykuese merr një rëndësi të veçantë për shkak të paragjykimeve politike. Pesë gjyqtarët që gjykuan kërkesën e PS-së për vendimin 709, u akuzuan nga kreu i socialistëve se kishin vepruar në kundërshtim të ligjit. Nisur nga kjo nuk dihet se në hapje të seancës, ku do gjykohet kjo kërkesë, pala paditëse, Partia Socialiste do të ngrejë pretendime lidhur me përbërjen e trupës gjykuese apo jo.

Kërkesa

Në bazë të Kodit Zgjedhor, PS si subjekt zgjedhor kishte të drejtë që pas shqyrtimit të ankesave në rrugë administrative në KQZ, t’i paraqiste pretendimet e saj për gjykim edhe në Kolegj. Ndaj socialistët në kërkesën e tyre në anën formale, pra në objektin e kërkesë padisë së re, i përmbahen tërësisht objektit që kishin kërkesat e paraqitura më parë në KQZ. Por ndryshe prej tyre, në këtë kërkesë socialistët i japin një rëndësi të veçantë argumentit të vlerësimit të votave të gjetura në kutitë e gabuara dhe mospërputhjes së shifrave të votave të gjendura në kuti dhe firmave të votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Nuk dihet nëse Kolegji do t’i marrë për bazë këto argumente, pasi në rastin e fletëve të gjetura në kutinë e gabuar përbën një çështje të gjykuar më parë dhe në rastin e mosrakordimit të shifrave përbën një tejkalim procedurial, pasi duhet të ishte ngritur si pretendim gjatë shqyrtimit administrative në KQZ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›