E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e plotë e PS: Nga rivlerësimi dolën 357 fletë më shumë se votues

Partia Socialiste i kërkon Kolegjit Zgjedhor që të shpallë të pavlefshëm dy vendimet e KQZ për miratimin e tabelës së rezultatit të njësisë 5 dhe tabelës përmbledhëse të rezultatit për gjithë Bashkinë Tiranë. Kërkesa e depozituar dy ditë më parë pranë Gjykatës së Apelit, duke iu përmbajtur objektit të saj për kundërshtimin e vendimeve të KQZ-së, arsyeton ndërmjet të tjerave se tabelat e rezultateve nuk shprehin në mënyrë të saktë numrin e zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votim me numrin e votave të gjetura në kuti. Një nga elementët që solli këtë mosrakordim, sipas PS-së, është pikërisht procesi i numërimit të votave të gjetura në kutitë e gabuara. Gjithashtu, duke iu përmbajtur logjikës së pavlefshmërisë së vendimeve të KQZ-së, pala paditëse, pra PS argumenton se fletët e votave të gjetura në kutitë e gabuara janë të pavlefshme dhe nuk duhet të ishin përfshirë në rezultat. Megjithatë duket se në këtë rast kemi të bëjmë me një tejkalim të së drejtës ankimuese nga PS, pasi së pari ajo këto pretendime nuk i paraqiti në rrugë administrative dhe së dyti ato kanë të bëjnë me vendimin 709 të KQZ-së të cilën Kolegji e gjykoi një herë duke e quajtur të vlefshëm si proces.

KËRKESË PADI

Paditës : Partia Socialiste e Shqipërisë, me seli sheshi "Austria" Nr.91, Tiranë.

I paditur : Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Tiranë.

Objekti : Kundërshtimin si të paligjshëm të pikave 2 e 3 të Vendimit Nr. 827, datë 02.06.2011 të KQZ, që ka vendosur rrëzimin e kërkesës ankimore nr.161 dhe 162, lidhur me vendimet nr. 710 dhe nr. 711 datë 23/05/2011 të KQZ, si dhe të të gjithë vendimeve të marra nga KQZ për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar për Kryetarin e Bashkisë Tiranë, si vendime në kundërshtim flagrant me ligjin, duke rivendosur në vend të drejtën e cenuar.

Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë

Të nderuar Gjyqtarë!

Rrëzimi i kërkesave ankimore të paraqitura nga Partia Socialiste ka ardhur si pasojë e mos marrjes së kuorumit të nevojshëm të votave "pro" nga anëtarët e KQZ. Rrethanë për të cilën këtë çështje po e bëjmë objekt shqyrtimi nga ana e këtij Kolegji. Pikësëpari i bëjmë me dije këtij Kolegji Zgjedhor se pretendimi ynë kryesor lidhet me cenimin e standardit kushtetues që i ka bërë KQZ-ja të drejtës për një proces të rregullt ligjor, parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Nga mënyra e zhvillimit të procedurave administrative nga KQZ-ja janë evidentuar cenimi i të drejtave kushtetuese e ligjore që lidhen me parimin e sipërpërmendur si dhe me parimin e sigurisë juridike, parimin e barazisë së votës, parimin e fshehtësisë së votës, lirinë e votuesve për të shprehur lirisht vullnetin e tyre etj. Nga kjo pikëpamje, ne i kemi orientuar të gjitha pretendimet tona në drejtim të shkeljeve të rënda që ka konsumuar KQZ-ja gjatë të gjithë procesit administrativ, shkelje të cilat konsistojnë kryesisht në drejtim të standardeve kushtetuese, dhe që e drejta për një proces të rregullt ligjor i lidh me parimet e sipërcituara dhe veçanërisht me kompetencën, juridiksionin dhe paanshmërinë e organit, marrjen e atributeve të organeve të tjera, procedurën ekstra ligjore të ndjekur, mosarsyetimin e vendimeve nga organi kompetent, thelbin e së drejtës së ankimit etj. Nga parashtrimi që do t'i bëjmë të gjithë shkeljeve që ka kryer KQZ-ja evidentohet qartazi cenimi që ky organ i ka bërë këtij parimi të rëndësishëm kushtetues.

Së pari: Në përfundim të procesit të numërimit të votave për kandidatët për kryetar të Bashkisë Tiranë dhe për Këshillin e Bashkisë Tiranë, KZAZ nr.49 me Vendimin Nr.37 datë 16/05/2011 ka vendosur të mos miratojë tabelën përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë". Procesi ligjor ka filluar të deformohet që nga ky moment dhe shkeljet e kanë shoqëruar të gjithë procesin deri në përfundimin e tij nga KQZ-ja. Mosmiratimi i këtij veprimi nga KZAZ-ja, ndërkohë që janë hedhur të gjitha tabelat me rezultatet e procesit të numërimit sipas atyre të hartuara nga GNV, është shkelja e parë e rëndë e ligjit. Në rast se KZAZ-ja nr.49 do të përmbushte detyrimin që i rrjedh nga neni 35 e 122 i Kodit Zgjedhor dhe të plotësonte të dhënat që kishin nxjerrë GNV, atëherë ndoshta procesi do të kishte rrjedhën e tij normale. Këtë veprim, subjekti ynë zgjedhor e ka animuar në KQZ brenda afateve ligjore.

Së dyti: Për sa i takon Vendimit Nr. 711 datë 23/05/2011 të KQZ, është për t’u theksuar fakti se edhe ky vendim është rrjedhojë e veprimeve në kundërshtim flagrant me ligjin.

Konkretisht, ky vendim nuk pasqyron rezultatin e zonës zgjedhore Bashkia Tiranë sipas përcaktimeve të neneve 122 e 123 të Kodit Zgjedhor. Në rastin konkret rezulton e provuar se me Vendimin Nr.711 datë 23/05/2011, KQZ ka shpallur një rezultat për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë, por duke u ndryshuar të gjitha vendimet e marra nga KZAZ-të, ndryshim që është bërë, pa asnjë lloj vendimi sipas parashikimeve të neneve 35, 122 e 123 të Kodit Zgjedhor. Rrethanë për të cilën Vendimi Nr.711 datë 23/05/2011 i KQZ rezulton të jenë haptazi në kundërshtim me ligjin.

Së treti : Vendimi Nr.711 datë 23/05/2011 i KQZ, vjen në kundërshtim edhe me Vendimin Nr. 650 datë 16/05/2011 të KQZ. Në këtë vendim, KQZ ka përcaktuar procedurat për nxjerrjen e tabelës përmbledhëse të rezultatit prej saj si më poshtë pasqyrojmë:

1. Të miratojë modelin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit për Zonën Zgjedhore Bashkia Tiranë për kryetar sipas tabelës 1 dhe për këshillin sipas tabelës 2, bashkalidhur këtij Vendimi.

2. Tabela Përmbledhëse e Rezultatit të printohet nga baza e të dhënave e krijuar nga transmetimi i rezultateve të çdo QV-je nga VNV-të përkatëse në KQZ, pasi të jenë bërë veprimet si më poshtë:

2.1. Të krahasohen rezultatet në tabelën përmbledhëse origjinale të rezultateve të miratuara nga KZAZ-ja me tabelat origjinale për çdo qendër votimi dhe më pas tabelat origjinale për çdo qendër votimi të krahasohen edhe me rezultatet e subjekteve përkatëse që ndodhen në bazën e të dhënave.

2.2. Përputhjet ose mospërputhjet e vërejtura të mbahen shënim dhe të raportohen KQZ-së. Pas dhënies të pëlqimit nga KQZ-ja, nëse është e nevojshme, të bëhen rregullimet përkatëse në bazën e të dhënave dhe të printohen prej saj Tabelat Përmbledhëse të Rezultateve për Bashkinë Tiranë.

3. Kontrolli sa më sipër të bëhet në kopjen e bazës të të dhënave të bërë në momentin e transmetimit të rezultatit të votimit të kutisë që është numëruar e fundit.

4. Kontrolli sa më sipër të bëhet nga Sekretarja e Përgjithshme dhe Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit.

5. Korrigjimet në bazën e të dhënave, nëse del e nevojshme, të bëhen nga kompania e kontraktuar nga KQZ nën mbikëqyrjen e Sekretares së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit.

6. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Në mënyrë të qartë rezulton se Vendimi Nr.711 datë 23/05/2011 është në kundërshtim edhe me Vendimin Nr. 650 datë 16/05/2011 të KQZ që ka përcaktuar procedurat e nxjerrjes së TPR për Zonën Zgjedhore. Me procedurat e ndjekura, rezulton se KQZ-ja nuk ka zbatuar as vendimet që vetë i ka miratuar.

Së katërti: Vendimet Nr.710 e Nr.711 janë në kundërshtim me ligjin edhe për faktin se në të dy rastet KQZ ka realizuar një procedurë ndryshimi të tabelave të rezultateve të QV-ve model 56 - 11 me një vendimmarrje krejtësisht në kundërshtim flagrant me ligjin. Urdhërimet e bëra nga KQZ janë vendime të paligjshme e të pavlefshme. Janë të tilla për faktin se, jo vetëm që janë realizuar në një proces e procedurë krejtësisht të ndryshme nga ajo e parashikuar nga neni 123 i Kodit Zgjedhor, por edhe sepse janë në kundërshtim me parashikimet e neneve 116, 117, 118 e 119 të Kodit Zgjedhor. Mbi këtë arsyetim të KQZ që përcakton veten si organ i administrimit të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe faktet e sipërcituara, rezulton se KQZ ka vepruar në kapërcim të kompetencave të saj dhe vendimet e marra për ndryshimin e tabelave të rezultateve për 117 QV janë të kundraligjshme. Akoma më shumë vendimet Nr.710 e Nr.711, duke qenë se ndryshimi i bërë është i ndryshëm nga ai i korrigjimeve për gabime materiale, i vetmi që ligji lejon për atë rast, duke qenë se veprimi që bëhet sipas nenit 123 të Kodit Zgjedhor është vetëm aritmetik, pa lejuar asnjë veprim tjetër, rezultojnë qartë të paligjshëm.

Së pesti: Vendimet Nr.710 e Nr.711 janë të paligjshëm gjithashtu edhe për shkak se vlerësimet e bëra nga KQZ në procedurën hetimore të përmbyllur me vendimin nr.709, lidhur me vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e atyre fletëve të votimit të kontestuara e në kutinë e gabuar (atë jo respektive) janë në kundërshtim me përcaktimet e Kodit Zgjedhor. KZAZ, për çështjet e kontestimit, janë përballur me fletë votimi që ndodhen në kutinë e votimit, por që nuk janë të llojit, formës, madhësisë dhe ngjyrës të fletës së votimit që duhet të jetë në atë kuti. Rrjedhimisht, sipas konceptit të dhënë nga neni 117 i Kodit Zgjedhor për kriteret e vlerësimit, na rezulton se kemi fletë votimi të pavlefshme. Nuk ka asnjë argumentim tjetër që ta bëjë atë fletë të vlefshme nisur nga përcaktimet e Kodit Zgjedhor. Kontestimi që mund të bëhet është i pavlerë dhe s'ka asnjë rëndësi për këtë rast, pasi vetë ligji i ka cilësuar qartë të pavlefshme këto fletë të ndryshme nga ato të miratuara për të qenë në atë kuti votimi.

Së gjashti: Veç sa sipër, duhet theksuar se me rivlerësimet e bëra dhe me Vendimin Nr.710 e Nr.711 KQZ ka treguar edhe një aspekt tjetër të paligjshmërisë së veprimeve të veta. Hetimi i kryer nga KQZ që të ishin sa më të plota dhe të drejta në përputhje me vullnetin e Zgjedhësve do të duheshin të përputhnin në aktin e kryer vullnetin e zgjedhësve me votat e gjetura në kuti që do të thotë se në tabelat e GN dhe KZAZ-ve mbas një hetimi të kryer në një procedurë të rregullt duhet që këto tabela të pasqyrojnë saktë dhe në përputhje të plotë çdo vullnet me çdo vote.

Asnjë prej 117 kutive të hetuara nga KQZ-ja që kanë sjellë rivlerësimin e votave dhe pastaj ndryshimin e tabelave të grupit të numërimit dhe të tabelave përmbledhëse të rezultatit të pasqyruara fillimisht prej KZAZ-ve të cilat e kishin mbyllur procesin, pra rezultati paraprak, nuk përputh vullnetin e zgjedhësve që kanë votuar me fletët e votimit të vlerësuara.

KQZ, nga hetimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit për kryetar Bashkie në 117 kutitë ku ka ndërhyrë, ka vlerësuar 357 fletë votimi më shumë se vullnete të shprehura.

Nga tabela përfundimtare nuk përputhet asnjë komponent i mësipërm që do të thotë se tabela përfundimtare e rezultatit është një tabelë alogjike në lidhje me shifrat dhe nuk mbështetet mbi të dhëna reale. Nëqoftëse KQZ do kishte vepruar në zbatim të nenit 123 për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar duke u referuar te tabelat e KZAZ-ve si dhe te 485 tabelat e GN, rezultati do dilte në bazë të fletëve të votimit të gjetura në kuti të cilat përputhen me fletët votimi të vlefshme plus fletë votimi të pavlefshme, që do të thotë se tabela do kishte rezultat real duke u bazuar mbi fletë të gjetura në kuti.

Së shtati: I gjithë procesi administrativ që fillon:

- me mosmiratimin e vendimit nga KZAZ-ja nr.49 për plotësimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit, dhe që vijon;

- me mosnxjerrjen nga KQZ-ja të rezultatit të votimit të nxjerra nga çdo KZAZ për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë;

- me moskorrigjimin e gabimeve të mundshme materiale nga KQZ-ja;

- me ndryshimin në thelb të tabelave të rezultateve dhe vendimmarrjen e Vendimeve Nr.710 e Nr.711 datë 23/05/2011 etj; në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor e të Kodit të Procedurave Administrative është në tërësinë e tij një proces i parregullt ligjor. KQZ-ja me veprimet e kryera ka cenuar një tërësi të standardeve kushtetuese, që lidhen me parimin e sipërpërmendur si dhe me parimin e sigurisë juridike, parimin e barazisë së votës, parimin e fshehtësisë së votës, lirinë e votuesve për të shprehur lirisht vullnetin e tyre etj. KQZ-ja gjatë të gjithë procesit administrativ, ka cenuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor që lidhen me parimet e sipërcituara dhe veçanërisht me kompetencën, juridiksionin dhe paanshmërinë e organit, marrjen e atributeve të organeve të tjera, procedurën ekstra ligjore të ndjekur, mosarsyetimin e vendimeve nga organi kompetent, thelbin e së drejtës së ankimit etj.

Për këto shkaqe, si dhe për shpjegime e fakte të tjera që do të mund të paraqesim në seancën gjyqësore, kërkojmë:

- Gjykimin e çështjes në themel.

- Pranimin e kërkesë padisë sipas objektit.

Tiranë, më 06.06.2011

PADITËSI

Partia Socialiste e Shqipërisë

Kryetari

Edi RAMA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›